Skip to content

Alarm për “karamelet me dr*gë” pranë shkollave, Hita shkresë Ministrisë së Arsimit: Merrni masa!

Një formë e re dhe shqetësuese e shpërndarjes së lëndëve narkotike, e maskuar si produkte ushqimore, ka vënë në alarm Policinë e Shtetit. Bëhet fjalë për produkte të njohura si “Edibles”, të cilat përmbajnë THC, substancën psikoaktive kryesore të kanabisit, dhe që sipas autoriteteve po qarkullojnë pranë institucioneve arsimore. Për këtë situatë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i ka dërguar një shkresë zyrtare Ministres së Arsimit dhe Sportit, Mirela Kumbaro, duke kërkuar vëmendje dhe masa të shtuara parandaluese në shkolla.

Sipas informacionit të përcjellë nga policia, produktet janë identifikuar kryesisht në formë xheli dhe paraqiten në pamje të ngjashme me karamelet, ëmbëlsirat apo produktet e tjera të zakonshme ushqimore. Kjo i bën ato veçanërisht të rrezikshme, pasi mund të konsumohen pa vetëdije nga fëmijët dhe adoleshentët. Autoritetet paralajmërojnë se ngjashmëria me produktet e zakonshme të tregut rrit ndjeshëm rrezikun e konsumimit të paqëllimshëm, ndërsa efektet që mund të shkaktojë THC në organizmin e të miturve konsiderohen serioze. Në shkresën drejtuar Ministrisë së Arsimit, Policia e Shtetit kërkon rritjen e vigjilencës në ambientet shkollore dhe në zonat përreth tyre, si dhe bashkëpunim më të ngushtë mes drejtuesve të shkollave, mësuesve, psikologëve, prindërve dhe strukturave të rendit për identifikimin dhe raportimin e çdo rasti të dyshuar.

Sipas policisë, këto produkte nuk përfaqësojnë vetëm një rrezik për shëndetin publik, por janë edhe pjesë e metodave të reja që po përdoren për shpërndarjen e lëndëve narkotike, duke synuar grupmoshat e reja përmes formave që duken të padëmshme dhe tërheqëse. Ekspertët e sigurisë shprehen se fenomeni i “Edibles” është përhapur vitet e fundit në vende të ndryshme të botës, ku lëndët narkotike përzihen me produkte ushqimore për të shmangur dyshimet dhe për ta bërë më të lehtë shpërndarjen e tyre. Për këtë arsye, institucionet e sigurisë po kërkojnë ndërgjegjësim më të madh të prindërve dhe komunitetit shkollor. Policia e Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve dhe institucioneve arsimore të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar që lidhet me shpërndarjen apo tregtimin e këtyre produkteve, me qëllim parandalimin e përhapjes së tyre dhe mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet që ato paraqesin.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *