
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte i ftuar nderi në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor në Berlin, një platformë e sipërmarrjes gjermane që mbledh ekspertë të sigurisë, ekonomisë dhe inovacionit, si edhe përfaqësues të Bundestagut, Kancelarisë dhe trupit diplomatik.
Në fjalën e tij, Rama u ndal edhe te debati që ka shoqëruar projektin turistik të propozuar në zonën e Zvërnecit, për të cilin prej 17 ditësh po zhvillohen protesta në Shqipëri.Kryeministri e paraqiti rastin si një shembull të mënyrës sesi, sipas tij, dezinformimi dhe narrativat e pakonfirmuara mund të përhapen me shpejtësi në epokën digjitale, duke theksuar se Evropa ka nevojë jo vetëm për mbrojtje nga kërcënimet tradicionale, por edhe për mekanizma që mbrojnë demokracitë nga manipulimi i informacionit dhe linçimi digjital.
Rama: Evropa nuk ka nevojë vetëm për mburrojë kundër raketave, ka nevojë për një mburojë edhe për epokën e algoritmeve. Këto javët e fundit vendi im përjetoi dhe vazhdon të përjetojë një shembull të gjallë të kësaj. Një propozim për zhvillim turistik në bregdetin e Shqipërisë u bë befas qendra e një stuhie digjitale ndërkombëtare. Katastrofa mjedisore u paraqit si fakt i provuar. Korrupsioni u shpall i vërtetuar përpara se të ekzistonte ndonjë provë. Teoritë konspirative u shumëfishuan orë pas ore. Pretendimet u bënë tituj, titujt u bënë të vërteta, të vërtetat u bënë dogma dhe kushdo që kërkonte prova trajtohej si i dyshuar.E përmend këtë jo sepse vetë projekti ka rëndësi për Evropën. Ka! Por ajo që ka edhe më shumë rëndësi është ajo çka prodhoi ky episod. Indinjata prodhoi miliona shikime përpara se faktet të kishin mundësi të flisnin. Narrativat bënë xhiron e botës përpara se procedurat e dokumentuara të mund të qarkullonin në një kanal të vetëm. Ky nuk është më një fenomen shqiptar, është një fenomen evropian. Fenomen amerikan, fenomen demokratik. Nëse demokracitë dështojnë të mbrojnë dallimin mes fakteve dhe trillimeve, mes shqyrtimit të fakteve dhe histerisë, mes kritikës dhe linçimit digjital, ato do të humbasin herët a vonë diçka shumë më të vlefshme se çdo argument politik. Besimin se demokracia ia vlen. Dhe ku besimi zhduket institucionet ndryshojnë vetë fiziologjinë e tyre. Dhe kur institucionet ndryshojnë në vetë fiziologjinë e tyre politika kryesore humbet legjitimitetin.

Be First to Comment