Skip to content

Sipas shtetësisë, numrin më të lartë të lejeve e kanë shtetasit e Kosovës me 7,302 leje duke përbërë rreth 19% të totalit të lejeve aktive të qëndrimit.

Pas tyre, numrin më të lartë e përbëjnë shtetasit nga Italia me 4,332 leje qëndrimi apo me 11% të totalit. Numri i lejeve të qëndrimit të shtetasve nga India arriti në 3,882 duke zënë 10% të totalit, nga Filipinet në 3,638 (9.3% të totalit) dhe nga Egjipti me 3,441 apo 8% të lejeve aktive.

Punësimi mbetet arsyeja kryesore e qëndrimit të shtetasve të huaj në Shqipëri. Sipas të dhënave, numrin më të madh të lejeve të qëndrimit e zënë lejet unike për punëmarrës dhe lejet unike të vetëpunësimit. Për të dyja këto kategori, numri i tyre deri në qershor 2026 arriti në 22,693 leje për punësim, duke përbërë 59% të totalit të lejeve të qëndrimit.

Numrin e të huajve të pajisur me leje unike nga punëmarrësit e kryesuan shtetasit nga Filipinet, India dhe Egjipti. Këto vende kanë së bashku të miratuara 10,258 leje unike për punëmarrës, duke përbërë rreth 50% të totalit të punësuarve në vend.

Pas tyre janë lejet për bashkim familjar. Deri në qershor 2026 numri i tyre arriti në 7,124 leje aktive duke përbërë 18% të totalit të lejeve aktive të qëndrimit.

Numri i lejeve për bashkim familjar dominohet nga shtetasit nga Kosova me 2,978 leje apo duke zënë rreth 42% të totalit të lejeve me motiv bashkimin familjar.

Edhe shtetasit italianë kanë një numër të konsiderueshëm të lejeve për bashkim familjar. Numri i tyre ka arritur në 783 leje apo 11% të lejeve për bashkim familjar. Pas tyre janë shtetasit turq të pajisur me 518 leje qëndrimi (apo 7% e totalit të lejeve për këtë kategori).

Ndërsa numri i lejeve për motivi studimi arriti në 1,261 duke përbërë 3% të totalit të lejeve aktive. Për këtë kategori lejet kryesohen nga shtetasit italiane me 462 leje apo që zënë rreth 37% të tyre. Pas tyre vijnë shtetasit indianë. Me leje studimi janë të pajisur 426 shtetas indianë apo 34% e totalit për këtë kategori lejesh.

Për lejet me motiv humanitar, numri më i madh është regjistruar për shtetasit e Iranit ku numri i tyre arrin në 2,440, ndërsa shtetasit e vendeve të tjera paraqesin një numër dukshëm më të ulët në këtë kategori.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *