Skip to content

Protestuesit prej ditesh kërkojnë dorëheqjen e Ramës, reagon Princ Leka

Princ Leka ka reaguar në lidhje me zhvillimet në vend dhe protestat që po mbahen prej 19 ditësh kundër projektit të Zvërnecit. Në një postim në Instagram, ai ka komentuar edhe zhvillimet që ndodhën ditën e djeshme në Parlamentin Europian.

Leka shkruan se natyra shqiptare nuk është thjesht një pasuri ekonomike apo një burim zhvillimi, por pjesë e identitetit dhe trashëgimisë që do t’ua lëmë brezave të ardhshëm.

Sa u përket protestave, Princi thekson se qytetarët duhet të marrin përgjigje për pyetjet që ngrenë.

“Një shoqëri e gjallë nuk është ajo që hesht, por ajo që kujdeset për të ardhmen e saj. Zërat që janë dëgjuar këto ditë nuk flasin vetëm për një çështje të veçantë; ata shprehin dëshirën për më shumë përgjegjësi, transparencë dhe besim në mënyrën se si merren vendimet që prekin jetën e të gjithëve”, thekson ai.

Po ashtu, ai shkruan se Shqipëria ka nevojë për zhvillim, por edhe për institucione të forta, dialog të sinqertë dhe vendime që ndërtojnë besim.

Kujtojmë se, disa ditë më parë, Princ Leka, së bashku me bashkëshorten e tij, Blertën, dhe vajzën e tyre, Geraldinën, morën pjesë në protestën e qytetarëve.

Postimi i plotë:

Zhvillimet e fundit në Parlamentin Europian tregojnë se rruga drejt Bashkimit Europian kërkon jo vetëm ambicie për zhvillim, por edhe respekt të plotë për shtetin e së drejtës, mbrojtjen e mjedisit, transparencën dhe interesin publik.

Natyra e Shqipërisë nuk është thjesht një pasuri ekonomike apo një burim zhvillimi. Ajo është pjesë e identitetit tonë, e kujtesës sonë kolektive dhe e trashëgimisë që do t’u lëmë brezave që vijnë. Brigjet, lumenjtë, pyjet dhe zonat e mbrojtura mbartin histori, jetë dhe një bukuri që nuk mund të rikrijohet pasi humbet.

Pikërisht për këtë arsye, është inkurajuese të shohësh kaq shumë qytetarë që angazhohen, që ngrenë pyetje dhe që kërkojnë të dëgjohen. Një shoqëri e gjallë nuk është ajo që hesht, por ajo që kujdeset për të ardhmen e saj. Zërat që janë dëgjuar këto ditë nuk flasin vetëm për një çështje të veçantë; ata shprehin dëshirën për më shumë përgjegjësi, transparencë dhe besim në mënyrën se si merren vendimet që prekin jetën e të gjithëve.

Shqipëria ka nevojë për zhvillim, por po aq ka nevojë për institucione të forta, për dialog të sinqertë dhe për vendime që ndërtojnë besim. Vetëm kështu mund të ecim përpara pa humbur atë që na bën unikë dhe pa lënë pas vlerat që duam të mbrojmë.

Ky është amaneti që kemi ndaj historisë sonë dhe detyrimi që kemi ndaj së ardhmes.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *