Ngjarja ndodhi të mërkurën në mëngjes, në Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road. Alarmi për zjarrin u dha rreth orës 05:13, ndërsa ekipet e zjarrfikësve mbërritën vetëm pak minuta më vonë.
Sipas autoriteteve, kur zjarrfikësit arritën në vendngjarje, kati i parë i banesës ishte përfshirë nga flakët, ndërsa në katin e dytë kishte një sasi të madhe tymi.
Shefi i zjarrfikësve, Percy Golden, bëri të ditur se dy të rritur dhe dy fëmijë kishin mundur të dilnin nga banesa përpara mbërritjes së ekipeve.
Gjatë kontrollit të banesës, zjarrfikësit gjetën tre fëmijë pa shenja jete. Flakët u vunë nën kontroll rreth orës 05:38.
Dy prindërit dhe dy fëmijët e tjerë të familjes ndodhen në spital dhe, sipas raportimeve, janë në gjendje kritike.
Familja Manati është me origjinë nga Lushnja, ndërsa tragjedia ka prekur thellë të afërmit dhe komunitetin shqiptar në Jacksonville.
Një kushërirë e familjes, Alessia Firi, ka hapur një fushatë në GoFundMe për të ndihmuar me shpenzimet mjekësore dhe të funeralit. Deri tani, fushata ka mbledhur mbi 89 mijë dollarë.
“Familja dhe komuniteti i tyre janë plotësisht të pikëlluar ndërsa përballen me dhimbjen e padurueshme të kësaj humbjeje”, shkroi Firi në përshkrimin e fushatës.
Ndërkohë, Kryqi i Kuq po ofron ndihmë për personat e prekur nga zjarri, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e tij.
Hetimi po kryhet nga Zyra e Marshallit të Zjarrfikësve të Shtetit dhe Njësia e Vrasjeve e Zyrës së Sherifit të Jacksonville.

Be First to Comment