Skip to content

Pas takimit të zhvilluar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, Kurti është pyetur edhe për mosvazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.

Ai ka thënë se thirrja e seancës nuk është në kompetencën e tij, duke ia atribuuar këtë përgjegjësi kryesuesit të përkohshëm, deputetit më të moshuar, Avni Dehari.

 

Seancën konstituive, siç e dini, e thërret deputeti më i moshuar, në këtë rast, Avni Dehari, i cili, i ka dhënë edhe ai arsyet dhe argumentet e veta pse s’po e bën një gjë të tillë”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i LVV-së ka përmendur gjithashtu tensionet e regjistruara ditëve të fundit në Kuvend, ku pati përplasje mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës.

Sipas Kurtit, para vazhdimit të procesit duhet të jetë e qartë nëse synimi i partive është krijimi i institucioneve dhe stabiliteti institucional apo vazhdimi i përplasjeve politike.

“Tash duhet ta dimë, a po duam konstituim të Kuvendit që të mos kemi zgjedhje dhe të kemi stabilitet institucional, apo po duam konstituim të Kuvendit që të kemi incidente dhe të kemi zgjedhje?”, ka thënë Kurti.

Ai ka insistuar se nuk ka çfarë të diskutojë sa i përket thirrjes së seancës, pasi këtë kompetencë, sipas tij, e ushtron kryesuesi i përkohshëm.

“Unë nuk kam se çfarë diskutoj në këtë aspekt, meqenëse seancat i thërret kryesuesi aktual, i përkohshëm gjithsesi, deputeti më i moshuar, i cili, siç e thashë më herët, tashmë ka dhënë shpjegimet për veprimet e tij”, ka shtuar ai.

Deklaratat vijnë në një periudhë të ndjeshme politike, kur kanë kaluar pothuajse tre muaj nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, ndërsa Kuvendi ende nuk ka përfunduar procesin e konstituimit.

Seanca konstituive kishte nisur më 6 gusht, por procesi nuk është përmbyllur.

Në dy raste, me kërkesë të Kurtit, seanca ishte ndërprerë pa u propozuar kandidati për kryetar të Kuvendit.

Kurti kishte argumentuar se zgjedhja e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve pa një marrëveshje paraprake politike për Presidentin nuk do të ishte e dobishme.

Pikërisht lidhja mes konstituimit të Kuvendit dhe marrëveshjes për presidentin është shndërruar në një prej pikave kryesore të debatit politik.

LVV-ja ka mbajtur qëndrimin se duhet të ekzistojë një marrëveshje paraprake për Presidentin përpara vazhdimit të procesit të konstituimit.

Në anën tjetër, partitë opozitare kanë kërkuar vazhdimisht që seanca të thirret dhe Kuvendi të konstituohet.

Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, afati për konstituimin e Kuvendit kishte përfunduar më 7 gusht në mesnatë.

Pavarësisht kësaj, Avni Dehari kishte caktuar vazhdimin e seancës për 8 gusht.

Edhe ajo seancë nuk rezultoi me përfundimin e procesit të konstituimit.

Situata ka sjellë përplasje të reja mes partive dhe interpretime të ndryshme lidhur me përgjegjësinë për bllokadën institucionale.

Partia Demokratike e Kosovës ka shkuar një hap më tej, duke dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Avni Deharit.

PDK pretendon se Dehari nuk e ka përmbushur detyrën e tij si kryesues i përkohshëm duke mos e vazhduar seancën, pavarësisht kërkesave të përsëritura të opozitës.

Në këtë situatë, vëmendja politike është zhvendosur gjithnjë e më shumë drejt negociatave për Presidentin e Republikës.

Kurti dhe Abdixhiku kanë zhvilluar diskutime për këtë çështje, ndërsa kreu i LDK-së ka konfirmuar se bisedimet tashmë kanë kaluar edhe te emra konkretë.

Abdixhiku ka paralajmëruar një takim tjetër me Kurtin, duke thënë se palët do të vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e një presidenti të ardhshëm që mund të sigurojë mbështetjen e nevojshme.

Në anën tjetër, Kurti po e lidh stabilitetin institucional me një marrëveshje më të gjerë politike, duke argumentuar se duhet të shmanget një situatë që do ta çonte vendin përsëri drejt zgjedhjeve.

Megjithatë, Kuvendi vazhdon të mbetet i pakonstituuar dhe ende nuk është bërë e ditur se kur do të thirret vazhdimi i seancës.

Sipas qëndrimit të LVV-së të paraqitur publikisht, vazhdimi i procesit duhet të paraprihet nga një marrëveshje për Presidentin.

Afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit, ndërkaq, fillon të rrjedhë pasi të konstituohet Kuvendi.

Kjo ka krijuar një situatë politike ku dy proceset janë lidhur ngushtë me njëri-tjetrin: konstituimi i Kuvendit dhe arritja e një marrëveshjeje politike për kreun e ardhshëm të shtetit.

Kurti thotë se po punon për krijimin e institucioneve, por për thirrjen e seancës konstituive e drejton përgjegjësinë te Avni Dehari.

Tashmë mbetet të shihet nëse takimi i ardhshëm Kurti-Abdixhiku do të prodhojë një marrëveshje për presidentin dhe nëse një marrëveshje e tillë do t’i hapë rrugë vazhdimit të seancës dhe përfundimit të konstituimit të Kuvendit.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *