Skip to content

Rama bën gati favorin e dytë për miliarderët e Zvërnecit, “10 vjet pa taksa”

Në kulmin e revoltës kundër projektit të Zvërnecit, kur mijëra qytetarë protestojnë prej javësh me sloganin “Shqipëria nuk është në shitje”, qeveria e Ramës po hedh një propozim që konfirmon shqetësimin e qytetarëve, se kryeministri nuk e mbron investimin se do të sjellë zhvillim ekonomik, por se ai është i interesuar t’i dhurojë një biznes tjetër fitimprurës familjarëve të Donald Trump.

Projektligji i ri “Për taksën mbi pasurinë e paluajtshme” i propozuar nga Ministria e Financave parashikon kalimin nga taksimi sipas sipërfaqes në taksimin sipas vlerës së tregut të pronës. Vetë qeveria e pranon se objektivi është rritja e të ardhurave për bashkitë, nga rreth 0.28% e PBB-së aktualisht, në 0.7 deri në 1% të PBB-së.

Me pak fjalë, qëllimi i këtij projektligji është që të mbledhë më shumë para.

Por ndërsa synon të rrisë të ardhurat nga taksa e pronës, i njëjti projektligj ruan një përjashtim të plotë për një kategori shumë të veçantë biznesi: resortet dhe hotelet me katër e pesë yje me status special dhe markë ndërkombëtare.

Neni 10, pika “ç”, parashikon se këto struktura, së bashku me parcelën ku ndërtohen, përjashtohen nga taksa e pronës për një periudhë 10-vjeçare.

Dhjetë vjet pa taksë prone.

Është e vështirë të mos vërehet koha kur vjen ky përjashtim. Qeveria po përgatitet të miratojë projekte turistike luksoze në Zvërnec, të lidhura me dhëndrin e Trump, Jared Kushner.

Për investitorët miliarderë që janë nga Katari, po krijohet një lehtësi fiskale e konsiderueshme.

Në teori, qeveria thotë se këto investime do të sjellin përfitime për të gjithë. Vetë Edi Rama e ka mbrojtur disa herë këtë model.

“Resortet luksoze janë ato që sjellin të ardhurat më të larta në ekonomi nga turizmi”, deklaroi ai pak ditë më parë.

“1 euro që hyn në një resort luksoz, shoqërohet me 1.6 deri në 2 euro që hyjnë në ekonominë lokale të atij vendi”, shtoi kryeministri.

Argumenti është i njohur: investimi i madh prodhon një efekt zinxhir. Turistët konsumojnë, bizneset përfitojnë, ekonomia rritet dhe përfiton edhe shteti.

Por këtu lind një paradoks.

Nëse këto investime prodhojnë kaq shumë të ardhura, përse duhet të përjashtohen nga një taksë që po u kërkohet qytetarëve të zakonshëm?

Nëse resortet do të sjellin më shumë para për ekonominë, përse shteti heq dorë paraprakisht nga një pjesë e të ardhurave që mund të mblidhte prej tyre?

Kjo pyetje bëhet edhe më e fortë po të kihet parasysh se nuk është privilegji i parë që u jepet këtyre investimeve në një zonë ku më parë ndërtimi ishte i pamundur. Për ta bërë të mundur këtë, shumica socialiste ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura, duke i dhënë më shumë hapësira investimit në kategorinë e peizazhit të mbrojtur.

Ky ishte privilegji i parë që u bë për Zvërnecin. Tani po përgatitet privilegji i dytë. Pra, ndërsa qytetarëve u kërkohet të kontribuojnë më shumë nëpërmjet taksës së pronës, investitorët më të mëdhenj përfitojnë një regjim të posaçëm. Pikërisht këtë fakt e ka denoncuar deputetja e opozitës, Jorida Tabaku.

“Pasi kanë helmuar ekonominë me paratë e korrupsionit dhe krimit. Pasi kanë rënduar familjet shqiptare me taksa e kosto jetese. Pasi kanë shtyrë qindra mijëra të rinj drejt emigrimit. Sot kërkojnë t’u japin privilegje të reja po të njëjtëve njerëz që kanë përfituar gjithçka nga ky sistem” ka shkruar Tabaku.

Ky model qeverisjeje është në thelb të debatit që ka shpërthyer rreth Zvërnecit. është e qartë tashmë se protesta nuk ka të bëjë vetëm me një resort apo me një investim të vetëm, por me modelin ekonomik që diskriminon qytetarët e zakonshëm për të favorizuar biznesmenët e mëdhenj me lidhje me qeverinë.

Kush përfiton nga modeli ekonomik që po ndërtohet?

Qeveria thotë se përfiton e gjithë shoqëria, por qytetarët në rrugë, ata që kërkojnë një Shqipëri të re mendojnë ndryshe. Dhe ndërsa revolta vazhdon me thirrjen “Shqipëria nuk është në shitje”, Rama po tregon se jo vetëm që nuk ka ndërmend të ndryshojë kurs, por po e konsolidon edhe më tej atë.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *