Rexha ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga momenti i përplasjes, ku pretendohet se ai është ofenduar dhe kërcënuar verbalisht. Ngjarja, sipas këngëtarit, ka ndodhur gjatë mëngjesit, teksa ai po përgatitej të udhëtonte drejt Prizrenit për një dasmë.
Në një prononcim për “Prive by Liberta Spahiu”, Rexha tregoi se konflikti lidhet me një hapësirë prej rreth 16 metrash katrorë, për të cilën familja e tij ka një proces gjyqësor.
Sipas rrëfimit të tij, gjatë incidentit janë përfshirë edhe familjarë të tjerë. Këngëtari pretendon se nëna e tij dhe vajza e xhaxhait janë sulmuar nga disa persona, ndërsa ai i ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të merren masa ndaj personave përgjegjës.
Në videon e publikuar prej tij në Instagram dëgjohen edhe fyerje, ndërsa Rexha ka shoqëruar pamjet me një deklaratë të gjatë ku ka dhënë versionin e tij për ngjarjen dhe ka përmendur personat që pretendon se janë të përfshirë.
Këngëtari e ka cilësuar përplasjen si pasojë të një mosmarrëveshjeje të gjatë familjare dhe pronësore. Sipas tij, konflikti lidhet me një sipërfaqe të vogël toke, pavarësisht se në zonë janë ndërtuar ndër vite shtëpi dhe garazhe.
Rexha ka theksuar se nuk kërkon hakmarrje, por drejtësi përmes institucioneve, duke deklaruar se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore.
“Prekja e nënës është një vijë e kuqe”, është mesazhi që këngëtari ka përcjellë përmes reagimit të tij.
Pretendimet e bëra nga Rexha për ngjarjen mbeten versioni i tij, ndërsa pritet që autoritetet të sqarojnë rrethanat dhe përgjegjësitë konkrete të personave të përfshirë.
Be First to Comment