Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me aksidentin e rëndë rrugor në Gjermani, ku humbën jetën dy të reja nga fshati Topanicë i Kamenicës.
Viktimat janë E.Z., 24 vjeçe, dhe A.Z., 18 vjeçe, vdekja e të cilave është konfirmuar edhe nga familjarët. Lajmi ka tronditur jo vetëm vendlindjen e tyre, por edhe komunitetin shqiptar në diasporë.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, aksidenti ka ndodhur pas një përplasjeje të fuqishme mes dy automjeteve, ndërsa dyshimet e para tregojnë se shkak mund të ketë qenë një manovër e pasuksesshme për ndryshimin e korsisë.
Përplasja fillestare ndodhi me shpejtësi të lartë, duke lënë një person të plagosur rëndë. Si pasojë e goditjes, automjetet që po lëviznin pas tyre nuk arritën të frenonin në kohë, çka shkaktoi një aksident zinxhiror ku u përfshinë gjithsej pesë vetura.Sipas informacioneve paraprake të policisë gjermane, pasagjerët e katër automjeteve të tjera kanë shpëtuar pa lëndime serioze. Megjithatë, dy të rejat nga Kamenica, të cilat udhëtonin së bashku në të njëjtën veturë, humbën jetën në vendin e ngjarjes si pasojë e plagëve të marra.
Autoritetet gjermane kanë nisur hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësinë lidhur me ngjarjen tragjike.
Humbja e dy vajzave ka shkaktuar pikëllim të madh te familjarët, miqtë dhe bashkëfshatarët e tyre, të cilët po shprehin ngushëllimet dhe dhimbjen për këtë tragjedi.

Be First to Comment