Skip to content

Në një deklaratë në emisionin FIVE të TV Dukagjinit, Gani Thaçi ka thënë se familja e ka përjetuar rëndë largimin dhe qëndrimin e Hashim Thaçit në Hagë. Ai ka përmendur gjithashtu Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, duke i cilësuar si njerëz që kanë sakrifikuar shumë për çlirimin e Kosovës.

“Përjetimi i familjes ka qenë i rëndë. Asnjëherë nuk e kemi menduar që një çlirimtar ose disa burra që i prinë luftës, që sakrifikuan shumë do të na burgosen… përjetimi ka qenë i rëndë, edhe për vëllaun, edhe për bacën Jakup, Rexhën e Kadriun. Janë disa burra që zor që lindin më…”, ka deklaruar ai.

Gani Thaçi është ndalur veçanërisht te humbja e babait të tyre. Sipas tij, familjen e kishte tronditur shumë ndarja e tij nga jeta, por edhe fakti që Hashim Thaçi nuk kishte marrë pjesë në ceremoninë e varrimit.

Ai ka treguar se Hashim Thaçi e kishte vizituar babanë vetëm tri ditë më herët, kur ai ishte ende gjallë. Sipas rrëfimit të Gani Thaçit, pas kësaj vizite gjendja emocionale e babait kishte qenë e rënduar.

“Pastaj, vdekja e babait, sa na tronditi vdekja, më shumë na tronditi moslejimi i Hashimit me ardh në varrim. Ishte tri ditë përpara, e pa të gjallë. Barnat që i kishte esenciale, deri ditën që e ka vizituar Hashimi i ka përdorur, si ka shkuar Hashimi andej ka thënë më s’i dua ato barna…”, ka rrëfyer Gani Thaçi.

Ai ka folur edhe për nënën e tyre, duke thënë se ajo, sikurse pjesa tjetër e familjes, është në pritje të vendimit që do të shpallet në Hagë.

“Kështu nëna është duke pritur, po presim të gjithë. Ishalla lirohen të gjithë”, ka thënë ai.

Gani Thaçi ka shprehur bindjen e tij se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe ka përsëritur shpresën e familjes që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të lirohen.

Deklarata e tij vjen vetëm pak orë para shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Të katër janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave të ngritura kundër tyre.

Në prag të vendimit, familjarë dhe mbështetës të tyre ndodhen në Hagë, ndërsa në Kosovë dhe diasporë zhvillimet po përcillen me vëmendje të madhe. Rezultati i procesit mbetet i panjohur deri në momentin kur trupi gjykues ta shpallë zyrtarisht aktgjykimin.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *