Përmes një reagimi publik, Sadiku ka thënë se, po të varej nga ai, deputetët shqiptarë do të mblidheshin sonte dhe do ta votonin Hashim Thaçin për president të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, një veprim i tillë do të kishte karakter simbolik dhe do të përcillte një mesazh politik pas zhvillimeve të sotme në Dhomat e Specializuara.
“Sonte isha mbledhë me krejt deputetët shqiptarë dhe e kishim votu Hashim Thaçin për President të Republikës. 100 vota”, ka shkruar Sadiku.
Deputeti i LDK-së ka thënë se përmes një veprimi të tillë do të dërgohej një mesazh edhe ndaj Gjykatës Speciale dhe Serbisë.
“Me ia tregu edhe Gjykatës Speciale, edhe Serbisë, në emër të kujt po marrin vendime”, ka shkruar ai.
Deklarata e Sadikut përbën një propozim dhe qëndrim të tij politik. Nuk bëhet fjalë për një iniciativë të miratuar nga Kuvendi dhe as për një vendim zyrtar të LDK-së.
Reagimi vjen pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, i cili ka shkaktuar reagime të shumta nga partitë politike, përfaqësues institucionalë, familjarët dhe figura të ndryshme publike.
Gjatë ditës janë paraqitur edhe propozime të tjera lidhur me mënyrën se si institucionet e Kosovës duhet të reagojnë pas vendimit në Hagë, ndërsa partitë politike kanë paralajmëruar diskutime dhe hapa institucionalë.
Mesazhi i Sadikut, megjithatë, është ndër propozimet më të veçanta të bëra publikisht pas aktgjykimit, pasi ai ka përmendur drejtpërdrejt mundësinë që deputetët shqiptarë ta votonin Thaçin për president si një veprim simbolik politik.

Be First to Comment