Në një konferencë për mediat, Vuçiç deklaroi se Serbia duhet të ruajë paqen dhe stabilitetin, ndërsa përballja me të kaluarën, sipas tij, duhet të bëhet përmes dialogut.
Presidenti serb u ndal më pas te përmbajtja e aktgjykimit, duke shprehur pakënaqësi për faktin se katër ish-drejtuesit e UÇK-së nuk u shpallën fajtorë për akuzat për krime kundër njerëzimit.
“E gjithë kjo nuk u mor parasysh dhe, siç thashë, këto gjashtë akuza, të cilat kanë të bëjnë me krimet më të rënda kundër njerëzimit, nuk u shpallën fajtorë. Nuk kemi arsye të jemi të lumtur ose të trishtuar”, deklaroi Vuçiç.
Aktgjykimi i shpallur këtë të mërkurë i dënoi katër ish-drejtuesit e UÇK-së me gjithsej 81 vite burgim: Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi me nga 25 vite, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite. Ata u shpallën fajtorë për krime lufte që përfshijnë ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Ndërkohë, trupi gjykues i shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, pasi konstatoi se Prokuroria nuk kishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile.
Pikërisht kjo pjesë e vendimit ishte në qendër të reagimit të Vuçiçit, i cili pretendoi se aktgjykimi nuk adreson një sërë krimesh që Serbia prej vitesh pretendon se janë kryer ndaj serbëve gjatë dhe pas luftës në Kosovë.
Vendimi i 16 shtatorit është i shkallës së parë dhe mund të apelohet nga palët.
Be First to Comment