Duke folur për situatën politike dhe procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit, Kurti tha se Kuvendi aktual e ka mandatin dhe përgjegjësinë që t’i japë Kosovës president ose presidente të re.
Sipas tij, shkuarja sërish në zgjedhje nuk do të ishte e nevojshme nëse forcat politike arrijnë ta përfundojnë procesin brenda legjislaturës aktuale.
“Nëse nuk do të arrijmë të zgjedhim president të ri, do të shkojmë në zgjedhje. Zgjedhjet e reja janë të panevojshme. Kemi Kuvend dhe ky Kuvend mund t’i japë vendit president ose presidente”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka rikujtuar se Presidenti i Kosovës nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, por nga deputetët në Kuvend, duke argumentuar se partitë parlamentare duhet të gjejnë zgjidhje brenda institucionit që tashmë është zgjedhur.
“Duhet ta kuptojmë se në Kosovë nuk ka zgjedhje presidenciale. Pse të shkojmë sërish në zgjedhje për ta konstituuar Kuvendin që s’mund të zgjedhë president?”, ka thënë Kurti.
Deklarata e kryeministrit vjen në një periudhë kur zgjedhja e Presidentit është kthyer në një prej çështjeve kryesore të diskutimeve ndërmjet subjekteve politike.
Kurti edhe më herët gjatë vitit 2026 kishte paralajmëruar se pamundësia për zgjedhjen e Presidentit mund ta dërgonte Kosovën përsëri në zgjedhje, ndërsa tani ka përsëritur se një skenar i tillë, sipas tij, duhet të shmanget përmes marrëveshjes në Kuvend.
Be First to Comment