Në një debat televiziv më 19 shkurt, Haxhiu raportohet të ketë thënë se kabllogrami i fundit i ambasadës amerikane drejt Departamentit të Shtetit ishte i datës 16 dhjetor, se kishte të bënte me ish-drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj, dhe se pas asaj date nuk ishte dërguar asnjë tjetër. Kabllogramet janë korrespondencë diplomatike e klasifikuar. Sipas Konventës së Vjenës, komunikimet e një misioni diplomatik janë të paprekshme dhe shteti pritës ka detyrim t’i mbrojë.
Kronologjia e dosjes e bën këtë deklaratë shumë më të rëndë se në shkurt. Hetimi i SPAK ndaj Hysenit zhvillohet brenda procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025, dmth dosja ishte hapur para dhjetorit. Tema e kabllogramit të pretenduar ishte AKSHI, e njëjta dosje nga ku doli Ergys Agasi. Nga 28 qershori deri më 26 gusht, sipas SPAK, mes Hysenit dhe Agasit u regjistruan 508 komunikime, ndërsa ai ishte në arrati. Në makinën e tij, prokuroria gjeti nëntë faqe me diagrama si ato që prodhon SHISH, dhe dyshon se ia kishte dhënë Hyseni.
Pra, ekzistojnë tri fakte: një dosje e hapur në 2025, një kabllogram amerikan i pretenduar për AKSHI-n në dhjetor, dhe një drejtoreshë e SHISH e akuzuar se ndante sekrete me njeriun kryesor të AKSHI-t. Ajo që mungon është lidhja mes tyre. Haxhiu nuk ka shpjeguar kurrë nga e kishte informacionin. Nuk ka asnjë provë publike se ambasada ishte nën përgjim. Dhe vendimi i gjykatës për Hysenin u shpall sot sekret deri në mbyllje të hetimeve.
Pse ka rëndësi kjo pyetje: nëse komunikimet e një ambasade aleate u monitoruan nga Tirana, dëmi nuk është më vetëm te dosja e AKSHI-t, por te marrëdhënia me partnerin kryesor strategjik të vendit.
A e ka pyetur SPAK Baton Haxhiun nga e mori informacionin për kabllogramin e 16 dhjetorit, dhe a e ka verifikuar nëse SHISH-i nën drejtimin e Hysenit kishte qasje në komunikimet e ambasadës amerikane?
Be First to Comment