Lajmi u bë i ditur nga gazetari Eraldo Harlicaj gjatë emisionit “Top Story”. Sipas tij, për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes është ngritur një grup hetimor, ndërsa çështja po verifikohet edhe nga strukturat që merren me krimin kibernetik.
“Hila është paraqitur. Ndodhet brenda Policisë së Tiranës dhe po deponon për ngjarjen”, deklaroi Harlicaj.
Një nga pistat që po verifikohet lidhet me mënyrën se si janë realizuar materialet dhe pretendimin për ekzistencën e një kamere të fshehtë.
“Është ngritur një grup hetimor në lidhje me krimin kibernetik, për faktin e një kamere të fshehtë, ekzistencën e saj”, tha gazetari.
Ndërkohë, sipas Harlicajt, Hila vijon t’i qëndrojë versionit të deklaruar më herët në kontaktin e parë me Policinë, se materialet janë siguruar përmes hakerimit.
“Deri më tani bëjnë me dije që Hila i qëndron faktit që videot janë hakeruar”, u shpreh ai.
Një ditë më parë, Policia kishte kërkuar paraqitjen e kompozitorit dhe efektivët ishin paraqitur edhe në banesën e tij, por nuk e kishin gjetur aty. Hila ishte kontaktuar më pas në telefon dhe kishte deklaruar se ndodhej jashtë Tiranës dhe se do të paraqitej sapo të rikthehej.
Tashmë, pas paraqitjes së tij në Polici, hetimet pritet të fokusohen te origjina e materialeve, mënyra e regjistrimit të tyre dhe mënyra se si ato kanë përfunduar në internet.
Deri në këtë moment, nuk ka një përfundim zyrtar mbi personin që i ka regjistruar apo publikuar videot. Gjithashtu, nuk është bërë e ditur nëse Hila është paraqitur në Polici i shoqëruar nga një avokat.
Be First to Comment