Skip to content

Hije skandali/ Kush e pagoi Chris Precht për kopshtin privat të Kryeministrit?

Nga Ola Xama

Që instalacioni i vendosur në ndërtesën e Kryeministrisë është kopshti privat i Edi Ramës nuk ka asnjë dyshim. Këtë e vërtetojnë dhe shënimet që ka lënë mbi librin “Albanian Files” Chris Precht, themeluesi i Precht Studio.

Pasi u kontaktua në Instagram nga vetë Edi Rama, i cili i propozoi të punojë në Shqipëri, Precht thotë se “ Kur Edi Rama më kërkoi të dizenjoj një vend në formën e një salle mbledhjesh në oborrin e Kryeministrisë” kishte menduar për ndjesinë e “një parku ku ai dhe stafi i tij mund të shkëputen nga puna për disa momente, të gjejnë një hapsirë të qetë poshtë pemëve, të komunikojnë me kolegët dhe miqtë apo të reflektojnë.”

Ajo që dihet është se dëshira e Kryeministrit për të patur Parkun Eden ka kushtuar 4.7 milion euro nga taksat tona për projektin e ndërtimit (kontratë që u lidh me firmën Fusha shpk), por nuk ka asnjë gjurmë në sistemin e thesarit të shtetit se kush ka paguar për projekt-idenë (dizajnin e tij) apo gjurmë në formën e donacionit (dhuratë) nga vetë Precht apo sipërmarrës të tjerë.

Në dhjetra kërkesa për të drejtën e informimit që kam dërguar pranë Kryeministrisë për këtë çështje, shumica nuk ka marrë përgjigje dhe pas ankesave te Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, Kryeministria e ka deleguar përgjigjen pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ky i fundit ka thënë tekstualisht se nuk ka paguar për projektin pasi VKM-ja që i ka dhënë këtë përgjegjësi e ngarkon për implementimin e instalacionit dhe jo projektimin e tij.

Që idetë e Star Arkitektëve kushtojnë, këtë e pranojnë vetë në rrëfimin që kanë lënë në “Dosjet e Shqipërisë”, por ajo që Chris Precht nuk thotë është se kush e pagoi atë për projektin?

Nëse dëshirat e kryeministrit financohen nga oborri i biznesmenëve të tij, nëse për t’i vënë në jetë ato nuk respektohet asnjë procedurë e programimit të fondeve (rialokimet për ndërtimin e Parkut Eden u bënë në shkelje të Ligjit për Buxhetin), nëse nuk ka asnjë vlerësim paraprak mbi nevojën publike të veprave që financohen nga taksapaguesit, atëherë unë nuk kam asnjë kundërshtim me ironinë therrëse që arkitekti hollandez Reinier de Graaf bënte në letrën drejtuar Edi Ramës përpara zgjedhjeve të 2025-s: “Shpallu mbret!”

Problemi i kësaj letre nuk është sarkazma e arkitektit, por verbëria e servilëve që punojnë me z.Rama, të cilët nuk arrijnë të kuptojnë më as talljen dhe e botojnë letrën në librin që Shqipëria do i prezantohet botës (siç iu referua materialit vetë Kryeministri në intervistën për CNN).

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *