Skip to content

Pasi më herët kishte shpërndarë pamje nga protestat, aktorja ka publikuar në Instagram një deklaratë ku shpreh shqetësimin për të rinjtë dhe familjet e tyre, duke kujtuar njëkohësisht dashurinë që ka marrë ndër vite nga publiku shqiptar.

“Të dashur shqiptarët e mi, ju më mirëpritët në shtëpitë tuaja si Sadna dhe më dhatë kaq shumë dashuri, përtej gjuhës dhe distancës, që nuk dukeshin se kishin rëndësi. E kam mbajtur atë dashuri me vete që atëherë”, shkruan ajo.

Sara Khan shprehet se po i ndjek me shqetësim zhvillimet në Shqipëri, veçanërisht situatën e të rinjve që marrin pjesë në protesta.

“Sot zemra më rëndohet kur mendoj për ju, veçanërisht për të rinjtë tuaj, shpresat e tyre dhe familjet që presin të kthehen të sigurt në shtëpi”, vijon aktorja.

Në mesazhin e saj, ajo thekson se të rinjtë meritojnë të dëgjohen dhe të trajtohen me dinjitet, pa u përballur me frikë për të ardhmen e tyre.

“Ka diçka thellësisht të dhimbshme kur zemrat e të rinjve duhet të mbajnë kaq shumë frikë, ndërkohë që duhet të kenë kaq shumë gjëra për të pritur nga e ardhmja. Çdo i ri meriton të ndihet i dëgjuar, të trajtohet me mirësi dhe dinjitet dhe të besojë se ka vend për ëndrrat e tij në vendin e vet”, shkruan Khan.

Aktorja u është drejtuar edhe prindërve që shqetësohen për fëmijët e tyre, si dhe të gjithë personave që po kalojnë momente të vështira.

“Do të doja që këto fjalë t’i sillnin sadopak ngushëllim kujtdo që po vuan. Çdo prind i shqetësuar, çdo i ri i frikësuar dhe kushdo që po përballet në heshtje me vështirësi, dijeni se jeni në mendimet dhe lutjet e mia”, shprehet ajo.

Në përfundim, Sara Khan rikujton lidhjen e veçantë që ka krijuar me shqiptarët falë rolit të saj në serialin e njohur.

“Ju bëtë që dikush shumë larg të ndihej si një prej jush. Ju lutem, dijeni se dhimbja juaj nuk më duket aspak e largët. Me dashuri dhe një lutje të heshtur për ditë më të mira. Sadna juaj”, e mbyll aktorja mesazhin, të shoqëruar me flamurin shqiptar.

Postimi i saj ka marrë mijëra pëlqime dhe qindra komente, duke tërhequr vëmendjen e ndjekësve shqiptarë, të cilët e njohin prej vitesh nga roli i Sadnës.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *