Skip to content

Fillimisht, gurët po largohen me anë të eskavatorëve, ndërsa më pas punonjësit e Bashkisë së Tiranës po i heqin një nga një pllakat e trotuareve.

Gjatë ditëve të fundit, gurët dhe pllakat e shkulura nga hapësirat publike janë përdorur nga disa protestues gjatë përplasjeve me efektivët e policisë, ku janë raportuar edhe persona të lënduar.

Ndërhyrja në bulevard vjen përpara protestës së radhës, e cila pritet të zhvillohet mesditën e sotme. Studentë, prindër, fëmijë dhe të moshuar pritet të marrin pjesë në tubimin që është paralajmëruar në rrjetet sociale.

Kryeministri Edi Rama ka shprehur më herët shqetësimin për dhunën ndaj efektivëve të policisë, duke theksuar se ata janë në krye të detyrës dhe nuk duhet të bëhen objekt sulmesh.

Protesta e një dite më parë u shoqërua me tensione dhe dëmtime të hapësirave publike. Sipas raportimeve, gjatë mbrëmjes pati edhe zjarre në Gjykatën e Lartë dhe në disa biznese private.

Heqja e gurëve nga bulevardi shihet si një masë për të kufizuar përdorimin e tyre gjatë përplasjeve të mundshme, ndërsa mbetet për t’u parë se si do të zhvillohet tubimi i radhës në kryeqytet.

 

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *