Gjatë muajit gusht, nga kjo skemë kanë përfituar gjithsej 374 mijë e 382 fëmijë në Kosovë, duke e bërë atë një nga programet me shtrirjen më të madhe në kuadër të mbështetjes sociale.
Për realizimin e pagesave të shtesave për fëmijë gjatë këtij muaji janë ndarë mbi 13.5 milionë euro.

Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar lidhur me rënien e numrit të fëmijëve që përfitojnë nga shtesat mujore, duke e lidhur këtë me dyshimet për përfitime të padrejta nga familjet që jetojnë jashtë Kosovës.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, numri i fëmijëve përfitues ka rënë nga mbi 405 mijë në prill në 374 mijë e 382 në gusht, pra për më shumë se 31 mijë fëmijë.
Duke komentuar këto shifra, Muharremi ka hedhur akuza ndaj Qeverisë, duke pretenduar se kontrollet ndaj përfituesve janë forcuar vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve.
“Deri në qershor e paskan leju diasporën me abuzu me shtesat për fëmijë… Si kanë përfundu zgjedhjet, e kanë kapë votën, e paskan ndalë kronin”, ka shkruar Muharremi transmeton Klankosova.tv.
Ai më tej ka pretenduar se pas muajve maj dhe qershor janë larguar nga lista rreth 30 mijë pagesa, të cilat, sipas tij, lidhen kryesisht me përfitues nga diaspora.
“Pas majit e qershorit, rreth 30,000 pagesa për shtesa më pak, kryesisht të pastruara nga diaspora”, ka deklaruar ai.
Muharremi ka kritikuar gjithashtu Lëvizjen Vetëvendosje për mënyrën e qeverisjes, duke e lidhur këtë çështje me premtimet e saj të mëhershme.
“Krejt çka ka kritiku LVV-ja sa ka qenë në opozitë, e ka ba edhe ma zi kur ka ardhë në pushtet”, ka shkruar ai.
Në fund, analisti e ka cilësuar këtë si një premtim të pambajtur, duke thënë se bëhet fjalë për “një tradhti ndaj kauzave për qeverisje dhe një Kosovë ma të mirë”.
Ndërkaq, rregullat zyrtare për skemën përcaktojnë se të drejtën për shtesa e kanë fëmijët deri në 16 vjeç që kanë shtetësi dhe janë rezidentë në Republikën e Kosovës.
Be First to Comment