Skip to content

Përleshja e armatosur mes dajës dhe nipit: Zbulohet motivi i tentim vrasjes në Llap

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje zyrtare lidhur me incidentin e rëndë me armë zjarri që ndodhi sot në Podujevë, ku mbetën të plagosur katër persona.

Pas raportimeve fillestare të mediave, Prokuroria ka konfirmuar se personat e përfshirë në këtë rast janë dajë, nip dhe një familjar i tyre.

Sipas njoftimit zyrtar, të dhënat e para të hetimit tregojnë se ngjarja lidhet me një mosmarrëveshje të mëhershme mes personave të përfshirë.

“Të dhënat fillestare të hetimit tregojnë se në rast janë të përfshirë persona me lidhje familjare (nip dhe dajë), ndërsa motivi dyshohet të jetë një mosmarrëveshje e mëhershme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Prokuroria ka bërë të ditur se të dyshuarit po hetohen për veprën penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, sipas nenit 173, në lidhje me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Katër të plagosurit janë transportuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po vazhdojnë trajtimin mjekësor. Mjekët kanë bërë të ditur më herët se ata kanë pësuar lëndime të rënda, ndërsa njëri prej tyre i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.

Prokuroria ka theksuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po vazhdon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, përfshirë motivin dhe përgjegjësinë penale të personave të përfshirë.

Ngjarja, e cila ndodhi në qendër të Podujevës, ka shkaktuar shqetësim të madh te qytetarët dhe ka mobilizuar forca të shumta policore, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *