Emri i Qirkos është bërë i njohur për publikun si pjesë e procesit të vettingut, por edhe për lidhjen familjare me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, pasi është motra e saj. Ajo është shfaqur gjithashtu publikisht si avokate e Ballukut, pasi kjo e fundit u mor e pandehur nga SPAK.
Pamela Qirko është juriste me profesion dhe gjatë periudhës 2017 deri në 2023 shërbeu fillimisht si anëtare dhe më pas si kryetare e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), institucioni që drejtoi procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Më herët, karriera e saj është zhvilluar kryesisht në sektorin privat, ku ka punuar për një periudhë të gjatë në Telekom Albania/AMC.
Megjithatë, nga përvoja profesionale e saj nuk rezulton të ketë eksperiencë në sektorin financiar apo në administrimin e skemave të sigurimit të depozitave.
Pak javë më parë, Qirko tentoi të rikthehej në sistemin e drejtësisë duke kandiduar për një vend në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, por kandidatura e saj u rrëzua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Sipas statutit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm propozohet nga Drejtori i Përgjithshëm dhe emërohet nga Këshilli Drejtues. Ky organ përbëhet nga pesë anëtarë, ku dy emërohen nga Banka e Shqipërisë, dy nga Ministria e Financave dhe një nga Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA).
Emërimi i pritshëm i Qirkos vjen pas emërimit të Mina Kustës në krye të ASD-së, një post që kishte mbetur vakant që prej korrikut 2025, pas përfundimit të mandatit të Genc Mamanit. Kusta ka një eksperiencë të gjatë në Albcontrol, ku ka mbajtur postet e Drejtorit Ekonomik dhe më pas të Drejtorit të Përgjithshëm.
Ndryshimet në drejtimin e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave vijnë në një moment të rëndësishëm, pasi institucioni po përgatit reformimin e ligjit organik që do të rrisë ndjeshëm nivelin e sigurimit të depozitave bankare.
Aktualisht, ASD garanton depozitat bankare deri në 2.5 milionë lekë dhe depozitat në shoqëritë e kursim kreditit deri në 2 milionë lekë. Projektligji i ri parashikon që, në një fazë të parë, kufiri i mbulimit të rritet në 6 milionë lekë, ndërsa me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian synohet harmonizimi i plotë me direktivën europiane, duke e çuar shumën e garantuar në 100 mijë euro.
Emërimi i pritshëm i Qirkos vjen në një kohë kur motra e saj, Belinda Balluku, vijon të hetohet për akuza që lidhen me korrupsion, abuzim me tenderët publikë dhe favorizim në kontratat e infrastrukturës.
Në këtë kontekst, fakti që Pamela Qirko nuk rezulton të ketë përvojë të mëparshme në sektorin financiar pritet të ngjallë diskutime, veçanërisht në një periudhë kur Agjencia e Sigurimit të Depozitave po përgatitet të zbatojë ndryshime të rëndësishme ligjore që prekin nivelin e mbrojtjes së depozitave të qytetarëve, do t’iu jemi mirenjohes nese do te na ndihmonit që të mirmbajmë faqen vetëm duke shtypur(mbi foton) që ndodhet më poshtë.Faleminderit për mirkuptimin SHQIPE
Be First to Comment