Ata u fejuan kohë më parë. Siç kanë rrëfyer të afërmit e vajzës, bashkëjetuan në Tiranë për një periudhë, pasi 24-vjeçarja po studionte për Infermieri.
Mirëpo, për shkaqe që ende nuk janë qartësuar plotësisht, e reja vendos t’i japë fund lidhjes. Kaq mjaftoi që ajo të ishte vazhdimisht nën kërcënimet me armë të ish-partnerit, aq sa u detyrua të lërë universitetin dhe të rikthehet në fshatin e lindjes.
Po as atje nuk do të kishte qetësi për të…
Nertili, siç tregojnë të afërmit e vajzës, është arrestuar e liruar disa herë. Madje, së fundmi, ishte nën masën e arrestit në shtëpi.
“Ti pa mua nuk bën”, mësohet se i thoshte ai shpesh 24-vjeçares. Kështu, rreth orës 06:00 të mëngjesit të sotëm, ai shkon në shtëpinë e saj dhe i vret me armë zjarri të atin, 58-vjeçarin Kosta Plaka dhe i plagos nënën, e cila aktualisht ndodhet në spital.
Ulërimat u dëgjuan nga të afërmit e familjes, që jetonin aty pranë, por askush nuk guxoi të futej brenda sepse 35-vjeçari kërcënonte se “do i vriste të gjithë”.
Mori ish të fejuarën dhe me automjetin e parkuar mbrapa shtëpisë u largua, pa harruar armën e gjahut.
Pas disa orësh kërkime, Policia e lokalizoi atë dhe e reja i shpëtoi rrëmbimit.
Buzi sakaq, i dha fund jetës së vet.
Ngjarja në Roskovec na dëshmon edhe një herë se tragjikja paraprihet nga presioni psikologjik, kontrolli dhe frika, që mbeten të paadresuara në kohë.
Be First to Comment