
Një dokument i deklasifikuar i Central Intelligence Agency ka zbuluar detaje të reja mbi rëndësinë strategjike të Ishulli i Sazanit gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Raporti sekret i korrikut 1959, i përgatitur në bashkëpunim me qendrën fotografike të inteligjencës së Marinës Amerikane, e përshkruan ishullin si një nga pikat më të rëndësishme ushtarake të Shqipërisë për kontrollin e hyrjes në Detin Adriatik.
Sipas dokumentit, Sazani ishte plotësisht i militarizuar dhe nën kontrollin e forcave të ushtrisë dhe marinës shqiptare. Analistët amerikanë evidentonin praninë e baterive të artilerisë bregdetare dhe kundërajrore, sistemeve të radarëve si dhe një rrjeti bunkerësh, pozicionesh mitralozësh dhe magazinash nëntokësore të shpërndara në të gjithë territorin e ishullit.
Raporti përmend edhe ekzistencën e një pozicioni të mundshëm radari të tipit “TOKEN”, i konsideruar pjesë e sistemit të paralajmërimit të hershëm dhe mbrojtjes së zonës. Sipas CIA-s, këto kapacitete e shndërronin Sazanin në një kompleks të fortifikuar me rëndësi të veçantë strategjike në Mesdhe.
Vëmendje të veçantë në dokument merr edhe Porti i Shën Kollit, ku sipas zbulimit ajror funksiononte një bazë e vogël detare. Aty ishin identifikuar mjete patrulluese të klasit “Kronshtadt” dhe silurues të vegjël, ndërsa një strukturë e gjatë pranë portit dyshohej se përdorej për riparime nënujore të mjeteve detare.
Megjithatë, raporti rrëzonte disa nga dyshimet e kohës. Inteligjenca amerikane nuk kishte gjetur prova që të konfirmonin ekzistencën e një baze nëndetësesh apo të depove të mëdha nëntokësore të karburantit në ishull. Po ashtu, dokumenti theksonte se nuk ishin konstatuar zgjerime të rëndësishme të infrastrukturës ushtarake krahasuar me vëzhgimet e mëparshme.
I shoqëruar me fotografi ajrore, harta dhe skica të detajuara, dokumenti dëshmon interesin e madh të shërbimeve amerikane për monitorimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë, kur Sazani konsiderohej një pikë kyçe për kontrollin e lëvizjeve detare në Adriatik.

Be First to Comment