Skip to content

Revolta masive për largimin e Ramës po mbushin gjithnjë e më shumë rrugët e Tiranës, BIRN: Nga bulevardi në rrjetet

Teksa protestat masive kundër projektit në Zvërnec po mbushin gjithnjë e më shumë rrugët e Tiranës, pankartat satirike po shërbejnë për të përcjellë mesazhe politike dhe për t’i thirrur njerëzit nga mjedisi digjital në bulevard.

Përgjatë dhjetë ditëve të protestave masive në Tiranë, të cilët kërkojnë ndalimin e projektit kontrovers në Zvërnec dhe dorëheqjen e Ramës, ato që kanë spikatur kanë qenë pankartat me mesazhet satirike.

Duke përdorur si slogan kryesor “Revolucionin e Flamingove”, mesazhet në këto pankarta ironizojnë politikën e vjetër, përfshirë këtu liderët kryesorë Rama dhe Berisha, duke transmetuar mesazhe të qarta kritike, pakënaqësie dhe gjithashtu për nevojën për ndryshim.

Kryeministri Rama iu referua këtyre pankartave si “meme-mania”, por për ekspertët e komunikimit, pankartat e protestës po kryejnë funksionin e karikaturave politike, që shërbejnë për të ekspozuar absurdin e për të kërkuar llogaridhënie ndaj qeverisë.

Blerjana Bino, drejtuese ekzekutive e qendrës SCiDEV në Shqipëri dhe aktiviste për lirinë e medias i sheh këto meme si pjesë të traditës së satirës politike, të përshtatura në gjuhën digjitale të brezit të ri.

“Në thelb, një meme proteste bën atë që historikisht ka bërë karikatura politike: merr një situatë serioze, e redukton në një imazh, batutë apo shenjë të njohshme, dhe përmes ironisë ekspozon kontradiktën, arrogancën ose abdurditetin që protestuesit shohin te pushteti,” tha Bino për BIRN.

Ajo shpjegoi se satira ka një funksion shumë të rëndësishëm demokratik, si një mënyrë për të kritikuar pushtetin, pa hyrë në gjuhën e dhunës.

Edhe Ervin Goci, aktivist dhe pedagog i Komunikimit i sheh mesazhet satirike të pankartave si artefakte kulturore dhe politike, që përbajnë kode komplekse në vetvete.

“Këto që ju i quani ‘meme’, unë i quaj qeliza mesazesh, komunikimi në një botë që nuk pranon më të bërtasë në kor,” tha Goci.

Sipas Gocit, nëse këto mesazhe nuk do të ishin aty në shesh, protesta do bëhej thjesht miting me qendër zëri.

“Në fakt, protesta e vërtetë është në periferinë e protestës, aty ku prodhohet politikë e decentralizuar, e tematizuar, e estetizuar, por thellësisht kritike dhe politike,” shtoi ai.

Nga njëra pankartë në tjetrën në protestë ka një ndërthurje mesazhesh, që e bëjnë këtë protestë unike. Kreativiteti i memeve vlerësohet si thelbësor për t’a bërë mesazhin politik që ato përçojnë të kuptueshëm dhe të shpërndarshëm.

“Një pankartë me meme mund të komunikojë më shpejt se një deklaratë e gjatë politike, sepse përdor kodet kulturore që njerëzit i njohin menjëherë,” thekson Blerjana Bino.

Edhe pse mesazhet satirike nuk janë diçka e re, ajo çka është e re është pikërisht logjika digjitale e përdorimit të tyre. Në këtë rast, pankarta nuk është vetëm për sheshin, por ajo është menduar njëkohësisht edhe për fotografinë, për rrjetet sociale apo për qarkullimin publik të mesazhit.

“Meme-ja bëhet njëkohësisht pankartë, karikaturë, koment politik dhe mjet mobilizimi,’ tha më tej Bino.

Të njëjtin mendim ndan edhe pedagogu i komunikimit, Ervin Goci. Sipas tij qarkullimi i veçuar i këtyre mesazheve online nuk do të kishte kuptim, pa kontekstualizimin në shesh.

“Pavarësisht se ato qarkullojnë online, qarkullimi online shërben më shumë si një rrethqarkullim për të çuar njerëz në shesh, në një komunitet digjitalo-fizik,” tha Goci.

“Por mos të harrojmë se pa kontekstualizimin fizik në bulevard, qarkullimi online thjesht i zhvesh nga kuptimi,” përfundoi ai.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *