
SPAK dërgon kërkesën e dytë në Kuvend për arrestimin e Belinda Ballukut, dosja e re me akuza për korrupsion dhe pastrim parash për vartësen e Ramës trazon mazhorancën
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dërguar në Kryesinë e Kuvendit, kërkesën e dytë për heqje imuniteti, të deputetes Belinda Balluku. Ndonëse Kuvendi nuk e shpall publikisht nisjen e procedurave të kërkuara dhe mospengimin e drejtësisë. Krahas masës për ndalim të daljes jashtë vendit SPAK pritet të rikërkojë arrest me burg të të pandehurës Balluku. Korrupsion, pastrim të produkteve të veprës penale, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, janë akuzat e reja të Strukturës së Posaçme. Sigurisht, materialit i bashkëngjitet dhe lënda ekzistuese, ku është akuza e shkeljes së barazisë në tendera. Këshilli i Rregullores dhe Mandateve duhet të marrë kërkesën dhe pas njohjes me dosjen e re, të hapë seancën me të pandehurën dhe dërgojë sa më shpejt raportin propozues për heqje mandati në seancë plenare.
Mazhoranca në panik
Opozita dje kërkoi në Kuvend informacion nëse ka një kërkesë të dytë nga SPAK për heqjen e imunitetit të Ballukut. Në një prononcim për mediat, kreu i grupit të PS-së Taulant Balla u shpreh se nuk ka një kërkesë të tillë. Sipas Ballës ky është lajm i rremë dhe dezinformim. “Nuk ka një kërkesë të tillë. Ju e dini në raste kërkesash të ngjashme brenda 48 orëve njoftohen menjëherë anëtarët e Këshillit për Rregulloren e Mandatet. Edhe unë jam njëri prej anëtarëve të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve, nuk ka një njoftim të tillë. Dhe unë e kuptoj që lajme të tilla të rreme në këto kohë dezinformimesh janë të përditshme, por e konfirmoj që nuk ka një lajm të tillë”, tha Balla.
Ishte e qartë që Edi Rama ishte në siklet në momentin kur SPAK paraqiti për herë të parë kërkesën për heqje imunitetit për vendosjen e arrestit. Kryeministri gjeti një justifikim jo racional pa fantazi. Ai tha që nuk do ta shqyrtojmë çështjen derisa të flasë Gjykata Kushtetuese. Gjykata foli dhe foli kundër tij. Më pas votat e Partisë Socialiste rrëzuan kërkesën e SPAK-ut dhe nuk lejuan heqjen e imunitetit të saj. Më 12 mars 2026, Kuvendi rrëzoi me 82 vota kundër kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të Ballukut, e cila në atë kohë ishte marrë e pandehur për “shkelje të barazisë në tendera” në mënyrë të përsëritur.
Vetë Balluku mungoi në seancë, duke hequr dorë nga e drejta e fjalës para deputetëve. Qëndrimi i mazhorancës u artikulua nga deputeti Ulsi Manja, i cili lexoi raportin e shumicës dhe hodhi poshtë argumentin e SPAK për rrezikun e prishjes së provave, me arsyetimin se ky rrezik kishte ndryshuar pas largimit të Ballukut nga detyrat ekzekutive. Opozita, nga ana tjetër, kërkoi pranimin e kërkesës së SPAK dhe zhveshjen e saj nga imuniteti parlamentar. Ishte hera e parë që nga ngritja e organeve të reja të drejtësisë që mazhoranca doli kundër një kërkese të SPAK për heqjen e imunitetit të një deputeti.
Ky qëndrim solli edhe reagime ndërkombëtare. Ambasada Britanike në Tiranëdhe ajo e SHBA theksuan se imuniteti parlamentar nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit, ndërsa Ambasada Gjermane kërkoi që ndjekja penale në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Me dy akuza të reja, për korrupsion dhe pastrim parash ndaj Belinda Ballukut, si dhe me sekuestrimin e pasurive të dyshuara si të përfituara përmes korrupsionit, topi shkon sërish tek Edi Rama.
Pyetja tani është se çfarë do të bëjë kryeministri. A do të thotë sërish se akuzat janë të lehta, siç bëri me akuzën e parë që lidhej me tenderat, apo këtë herë do ta dorëzojë imunitetin e Belinda Ballukut? Çështja merr edhe më shumë rëndesë politike, pasi akuzat e reja nga SPAK vijnë në mes të një presioni të pazakontë mbi qeverinë Rama 4, me mijëra qytetarë që prej ditësh protestojnë në shesh. Balluku përballet tashmë me dy akuza të reja nga SPAK. Përveç akuzës së parë të tetorit të vitit të kaluar, për “shkelje të barazisë në tendera”, Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuzë ndaj Ballukut edhe për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Pse SPAK akuzon Ballukun për korrupsion?
Në qendër të hetimit të SPAK është një vilë në resortin “Ëhite Rocks” në Dhërmi, për të cilën Prokuroria e Posaçme dyshon se i përket në mënyrë të tërthortë Ballukut dhe se është përfituar si shpërblim në këmbim të favorizimit të kompanisë “Eurocol” në një tender të zhvilluar nga Albcontrol, në kohën kur Balluku drejtonte këtë institucion.
Sipas SPAK, vila ka një sipërfaqe 103 metra katrorë, verandë 34 metra katrorë dhe parcelë rreth 300 metra katrorë. Prokuroria thotë se përfitimi i parregullt kap vlerën 145 mijë euro. “Nga hetimi rezulton se shtetasja Belinda Balluku, për shkak të funksionit të saj publik si Drejtore e Përgjithshme e Albcontrol sh.a, në këmbim të favorizimit të shoqërisë ‘Eurocol’ sh.p.k. në procedurën e sipërcituar, ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt, i cili, referuar kontratës së porosisë, është në vlerën 145,000 euro, që konsiston në pasuri të paluajtshme, konkretisht vilën me nr. F6, në resortin turistik ‘Ëhite Rocks’, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, me zhvillues shoqërinë ‘Eurocol’ sh.p.k”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Be First to Comment