
Avokati i Popullit i ka kërkuar Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës të kryejnë inspektim urgjent pas publikimit të një videoje ku të mitur dyshohet se janë të angazhuar në punë ndërtimi në një kantier të biznesmenit Gjergj Luca.
Institucioni kërkon verifikimin e menjëhershëm të rrethanave dhe marrjen e masave për mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë.
Sipas Avokatit të Popullit, punësimi i të miturve rregullohet në mënyrë të rreptë nga legjislacioni shqiptar dhe nga konventat ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve, ndërsa autoritetet përgjegjëse duhet të veprojnë me urgjencë për garantimin e zbatimit të ligjit.
“Punësimi i të miturve është i rregulluar rreptësishtë nga legjislacioni shqiptar i punës dhe nga detyrimet ndërkombëtare që Shqipëria ka marrë përsipër përmes Konventës për të Drejtat e Fëmijës. Në këtë kuadër, institucionet përgjegjëse janë thirrur të veprojnë me urgjencë për të garantuar zbatimin e ligjit.
Avokati i Popullit ka bërë të ditur se do të ndjekë nga afër veprimet e autoriteteve dhe do të monitorojë nëse janë përmbushur detyrimet ligjore, duke informuar publikun mbi konkluzionet e hetimit administrativ.”
Videoja që ngriti alarmin
Gjergj Luca publikoi në rrjetet sociale pamje nga një kantier ndërtimi në pronësi të tij, ku shihen dy të mitur të moshës 14-15 vjeç duke punuar me hekur.
Në video, të miturit nuk duken të pajisur me mjete mbrojtëse dhe nuk vihet re mbikëqyrje profesionale, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurinë në punë dhe respektimin e të drejtave të tyre.
Çfarë parashikon Kodi i Punës
Legjislacioni shqiptar nuk e ndalon punësimin e të rinjve mbi 16 vjeç, por vendos kufizime të qarta. Kodi i Punës ndalon angazhimin e të miturve në punë të rënda, në temperatura ekstreme apo në aktivitete që kërkojnë pozicione dhe lëvizje të detyruara të trupit.
Po ashtu, një vendim i Këshillit të Ministrave i vitit 2017 parashikon rregulla shtesë mbrojtëse dhe nuk lejon që të miturit të punojnë më shumë se 6 orë në ditë.
Precedenti me gjimnazistet në fabrikë
Ky nuk është rasti i parë që ngre debat lidhur me angazhimin e të miturve në aktivitetet e biznesmenit. Në qershor të vitit 2022, Luca publikoi një video ku shfaqeshin disa gjimnaziste duke punuar në fabrikën e përpunimit të karkalecave në Elbasan, së bashku me nënat e tyre.
Ai e paraqiti këtë si një formë edukimi për të rinjtë, duke argumentuar se ata duhet të mësojnë se si fitohet paraja. Pas inspektimit, Inspektorati Shtetëror i Punës deklaroi se nuk kishte konstatuar shkelje, duke vlerësuar se puna nuk rrezikonte shëndetin apo zhvillimin e të miturve.
Megjithatë, organizata të shoqërisë civile kundërshtuan këtë përfundim, duke argumentuar se puna në temperatura të ulëta dhe qëndrimi i zgjatur ulur përbënin rrezik për fëmijët dhe binin ndesh me standardet e mbrojtjes së tyre.
Pamjet e fundit nga kantieri i ndërtimit kanë rikthyer debatin mbi respektimin e legjislacionit për punësimin e të miturve dhe kanë shtuar kërkesat për verifikime të plota nga institucionet përgjegjëse.


Be First to Comment