Skip to content

Pacolli ngre akuza të forta për Aeroportin e Vlorës: Kam marrë kërcënime, investimi po mbahet peng nga grupe të errëta

Biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli ka publikuar fotografi nga Aeroporti i Vlorës, duke pretenduar se prej 18 majit ai dhe stafi i kompanisë së tij janë penguar të hyjnë në ambientet e aeroportit, pavarësisht se, sipas tij, punimet ishin drejt përfundimit.

Në një reagim publik, Pacolli deklaron se kompania që ai përfaqëson kishte përmbyllur pothuajse të gjitha fazat e ndërtimit të terminalit, infrastrukturës dhe sistemeve teknike të aeroportit, ndërsa projekti ndodhej në fazën e pastrimit dhe sistemimit të hapësirave të gjelbra.

Sipas tij, hyrja në aeroport iu ndalua nga “grupe jashtëligjore”, të cilat, siç pretendon ai, janë mbështetur edhe nga struktura shtetërore. Pacolli shprehet se kompania e tij kishte investuar mbi 310 milionë euro në projekt dhe synimi i vetëm ishte vënia në funksion e aeroportit.

Biznesmeni thekson se ka fituar edhe një betejë gjyqësore në Gjykatën e Lartë, e cila, sipas tij, i ka dhënë të drejtë në aspektet kryesore të çështjes. Megjithatë, ai pretendon se vazhdon të mbahet jashtë aeroportit dhe se situata nuk ka gjetur ende zgjidhje.

Në deklaratën e tij, Pacolli ngre akuza të rënda për persona të paautorizuar që, sipas informacioneve që disponon, hyjnë dhe dalin në ambientet e terminalit, duke dëmtuar inventarin, duke marrë materiale dhe duke tentuar të disponojnë asete që nuk u përkasin.

Ai e cilëson situatën si një kërcënim serioz ndaj sigurisë juridike dhe klimës së investimeve në Shqipëri, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve shtetërore dhe hetimin e plotë të ngjarjes.

Pacolli deklaron gjithashtu se ka qenë subjekt i kërcënimeve personale, ndërsa shpreh shqetësim për atë që e konsideron mungesë reagimi nga organet e drejtësisë lidhur me kallëzimet dhe provat e paraqitura prej tij.

“Nuk kërkoj hakmarrje, por drejtësi, transparencë dhe respektim të ligjit”, shprehet ai, duke apeluar që autoritetet të ndërhyjnë për të mbrojtur investimin dhe për të garantuar sigurinë juridike të investitorëve në vend.

Deklaratat e Pacollit vijnë në një kohë kur çështja e Aeroportit të Vlorës vijon të mbetet objekt debatesh dhe përplasjesh ligjore mes palëve të përfshira në projekt.

Postimi i Pacollit

Aeroporti i Vlorës,

Terminal dhe ndërtesat perrreth të kryara, ishim në fazen e pastrimit dhe dekorimit me gjelbrim kur më 18 maj na u mbyllën përfundimisht dyert – neve dhe nënkontraktorëve tanë. Nuk mundëm të hynim më.

Grupe jashtëligjore, me ndihmën e Policisë së Shtetit, na ndaluan hyrjen në një aeroport që e kishim ndërtuar me përkushtim, profesionalizëm, me mbi 310 miljan te angazhuar dhe dashuri për vendin.

Ne donim vetëm ta përfundonim dhe ta vinim në operim aeroportin. Gjithçka ishte pothuajse gati: terminali, infrastruktura, sistemet teknike, strukturat profesionale dhe menaxhimi ndërkombëtar nga Dublini.

Fituam edhe në Gjykatën e Lartë, e cila na dha të drejtë në të gjitha aspektet kryesore të çështjes. Megjithatë, edhe sot na thuhet se “pa vullnetin e qeverisë do të mbetemi jashtë”!

Jashtë aeroportit që kemi ndërtuar me mund përkushtim e dashuri

Po…. Si po shkojn gjërat, e vertë, deri tani,

Ndërkohë, jemi zëvendësuar nga grupe të mbështetura nga interesat e GRUPE TE ERRËTA TE NDIHMUAR NGA DIKUSH!

Persona të paautorizuar hyjnë e dalin nga terminali, marrin materiale, dëmtojnë inventarin, vandalizojnë ambientet dhe, sipas informacioneve që marrim, madje tentojnë të disponojnë pasuri që nuk u përkasin e deri të shitja e e aseteve, pa prezencen tone!

Nga momenti kur po i shof deshmitë se persona të paautorizuar, prej më shumë se pesë muajsh, hyjnë dhe dalin nga terminali ( për ta shitur apo përvetësuar ilegalishtë atë), pa praninë dhe autorizimin e pronarit, më dhemb shpirti!

Ai terminal është ndërtuar me profesionalizëm, me mund, me përgjegjësi dhe me një kosto të jashtëzakonshme financiare. Ai terminal ka edhe nje Zot! Çdo hapësirë e tij mban gjurmën e punës së shumë qindra njerëzve dhe të një investimi të bërë me besim tek e ardhmja e Shqipërisë.

Tani këta njerëz jane të privuar madje të hynje dhe t’ju dalin zot mjeteve dhe instrumenteve të punës që jane të bllokuara me muaj!

“E kemi ndërtuar për të mirën e shqiptarëve, me shumë mund, sakrifica dhe para, jo për dikë tjetër.”

Ajo që po ndodh sot nuk është vetëm një padrejtësi ndaj neve apo ndaj kompanisë që përfaqësojmë.

Është një goditje ndaj sigurisë juridike, ndaj investimeve dhe ndaj besimit që çdo investitor duhet të ketë tek shteti dhe institucionet e tij.

Prokuroria e Tiranës hesht që nga shtatori, pa asnjë zhvillim në lidhje me kallëzimet dhe provat e paraqitura.

Gjatë një interviste në Prokurorinë Penale më është thënë një fjali qe më shqetëson për drejtësinë ne Shqipëri e këte do ta mbaj për vete deri në ditën kur të botoj librin tim të ardhshëm.

Sot apeloj, në emër të interesit publik, në emër të drejtësisë shqiptare dhe në emër të shtetit ligjor, që organet kompetente të veprojnë sa nuk është vonë. Kjo nuk është më një çështje private apo një konflikt biznesi. Kjo është një çështje e respektimit të ligjit, e zbatimit të vendimeve të formës së prerë të gjykatave dhe e mbrojtjes së një investimi strategjik për Shqipërinë.

Apeloj që të hetohen me seriozitet të gjitha veprimet e grupeve që kanë krijuar këtë situatë. Jo për hakmarrje, jo për konflikt, por për të vërtetën, për ligjin dhe për interesin publik. Aeroporti i Vlorës është ndërtuar me dashuri, me krenari dhe me bindjen se do t’i shërbejë qytetarëve shqiptarë dhe zhvillimit të vendit, e jo për qefet e interesat e askujt!

Kërkoj vetëm drejtësi, transparencë dhe mbrojtje nga grupet dhe bandat që, gradualisht, jo vetëm po tentojnë të përvetësojnë pronën tonë, por po cenojnë edhe të drejtën tonë themelore për SIGURI , dinjitet dhe mbrojtje ligjore.

Shpresoj që institucionet e shtetit të reagojnë, jo për mua (edhe pse me kërcnojnë) por për Shqipërinë, për rendin juridik dhe për besimin që qytetarët dhe investitorët duhet të kenë tek shteti e drejtësia.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *