Skip to content

Eurodeputetët e “Të Majtës” çojnë në Parlamentin Europian “Zvërnecin” dhe “Sazanin”

Parlamenti Evropian do të debatojë këtë të martë progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa në raportin që do t’i nënshtrohet votimit janë depozituar amendamente që përfshijnë zhvillimet e fundit lidhur me projektet turistike në Sazan dhe Zvërnec, si edhe protestat që kanë shoqëruar këtë çështje.

Amendamentet janë paraqitur nga eurodeputetë të grupit parlamentar “Të Majtë” dhe synojnë forcimin e referencave mbi ndikimin mjedisor të projekteve strategjike në Shqipëri.

Në një prej amendamenteve, eurodeputetët shprehin shqetësim për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë Affinity Partners, të lidhur me Jared Kushner, për zhvillimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit dhe në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.

Teksti propozon gjithashtu mbështetje për hetimin e nisur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në lidhje me këtë çështje dhe kërkon garantimin e së drejtës për protestë paqësore.

“Shpreh shqetësim për marrëveshjen e qeverisë me kompaninë e Jared Kushner dhe bën thirrje për mbështetje të hetimit anti-korrupsion të udhëhequr aktualisht nga SPAK në këtë kontekst”, thuhet në amendament.

Një amendament i dytë i referohet drejtpërdrejt protestave që po zhvillohen në Shqipëri kundër projektit, duke nënvizuar se Komisioni Evropian ka paralajmëruar autoritetet shqiptare për veprime që mund të ndikojnë në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Eurodeputetët kujtojnë se respektimi i legjislacionit evropian për mbrojtjen e shpendëve dhe habitateve natyrore mbetet një kusht themelor për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Debati në Parlamentin Evropian zhvillohet vetëm një ditë pasi Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Komisioni Evropian ka marrë garanci nga qeveria shqiptare se projekti do t’i nënshtrohet një vlerësimi të plotë të ndikimit në mjedis dhe se standardet evropiane do të respektohen.

“Ne kemi marrë garanci nga qeveria e Shqipërisë se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se standardet evropiane të mjedisit do të respektohen”, deklaroi Kos.

Kryeministri Edi Rama reagoi më pas duke theksuar se Komisioni Evropian është njohur në detaje me të gjithë procesin administrativ që lidhet me projektet në Sazan dhe Zvërnec dhe se deklaratat e komisioneres pasqyrojnë faktet e paraqitura nga autoritetet shqiptare.

Votimi për raportin e Shqipërisë pritet të zhvillohet të mërkurën në mesditë, ndërsa rezultati do të tregojë nëse këto amendamente do të marrin mbështetjen e shumicës së eurodeputetëve apo do të mbeten vetëm propozime politike të një grupi parlamentar.

Më poshtë pjesët kryesore të amendamenteve të depozituara nga eurodeputetët e grupit “Të Majtë”, të cilat do t’i nënshtrohen votimit së bashku me raportin për Shqipërinë:

Amendamenti 4 (paragrafi 46)

Shpreh shqetësim për marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner për zhvillimin e një projekti turistik luksoz në Sazan dhe në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës; bën thirrje për mbështetjen e hetimit anti-korrupsion që aktualisht po zhvillohet nga SPAK në këtë kontekst; kërkon që e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore të garantohet dhe të mos pengohet nga kompani private sigurie, siç ndodhi gjatë përplasjeve të regjistruara në fund të majit 2026.

Amendamenti 5 (paragraf i ri 46a)

Nënvizon faktin se Komisioni Evropian e ka paralajmëruar Shqipërinë kundër veprimeve që mund të ndikojnë në rrugën e saj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në kushtet e protestave kombëtare që po zhvillohen për shkak të një projekti të madh turistik luksoz, i cili rrezikon një zonë të mbrojtur natyrore ku jetojnë flamingot, fokat dhe ku gjenden habitate për folezimin e breshkave; mbështet në këtë drejtim kritikat e Komisionit dhe kujton se përafrimi me legjislacionin mjedisor të Bashkimit Evropian, përfshirë Direktivën për Shpendët dhe Direktivën për Habitatet, është kusht për anëtarësimin në BE.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *