Skip to content

“Ha e pi me paratë tuaja”/ Zagani publikoi video të Ramës nga Zvicra, reagon Kryeministri: Isha i ftuar, kurrë s’kam udhëtuar privatisht me lekët e shtetit

Kreu i qeverisë Edi Rama ka reaguar pas një video të shpërndarë në rrjetet sociale nga ish-shefi i policisë së Vlorës, Dritan Zagani, në të cilët kryeministri shfaqej në Zvicër me miq në një ambient lokali duke konsumuar diçka.

Zagani shkruante në dixhiturën e videos se “Sheshet e Tiranës plot, ky ha e pi këtej me lekët tuaja….vazhdoni ju protestoni paqësisht se jeni popull i kulturuar, ashtu si do ky”, e pikërisht këtij komenti i është përgjigjur Rama duke e cilësuar si shpifje dhe pasaktësi.

Numri një i qeverisë thotë se ishte në Basel i ftuar privatisht, dhe se kurrë sipas tij nuk ka udhëtuar me paratë e shtetit në raste kur ka qenë i ftuar në mënyrë private e jo në vizita zyrtare.“Qenka shpërndarë një video ku dikush më paska kapur mat duke pirë ujë në Basel të Zvicrës me shpenzimet e shtetit..

Në thuajse tre dekada shërbim publik unë kurrë nuk kam udhëtuar privatisht me lekët e shtetit dhe e njëjta gjë vlen edhe për familjen time.

Në 13 vjet në detyrën e kryeministrit unë dhe familja ime kurrë nuk kemi shkuar me pushime jashtë shtetit.

Në Zvicër isha i ftuar privatisht nga ArtBasel, panairi i përvitshëm i galerive më prestigjoze të artit në botë, ku janë prezantuar edhe vepra të miat. Kemi udhëtuar dhe qëndruar një ditë e gjysëm me bashkëshorten, si gjithnjë në këto raste plotësisht me shpenzimet tona.

Por ky është një rast i mirë në kohën e duhur, për të vënë një pikë të qartë mbi “i”:

Rreth njëzetë vite më parë, kur nuk më ishte regjur ende lëkura me baltën e shpifjeve e të akuzave pa hesap, pata vënë kujën publikisht duke thënë që “s’ka bir nëne a bir k…, që të gjejë në xhepin tim një qindarkë që s’është fituar me punë të ndershme”!

Sot, dy dekada më vonë, nuk jam më natyrisht ai 40 vjeçari i pamësuar ende me qenërinë e arenës plot baltë të jetës politike, i cili humbte gjumin nga plagët përvëluese të shpifjeve dhe akuzave kriminale.

Por e them me krenari, se ajo fjali e lëshuar asokohe nga dhimbja e nga ndjenja e turpit përpara njerëzve të mi dhe të gjithë atyre që më kishin besuar drejtimin e Tiranës, qëndron 100% e paprekshme në përmbajtjen e saj edhe sot, përballë të gjithë atyre që më kanë besuar drejtimin e Shqipërisë.

Dhe mos e harroni asnjëherë:

Kush shpif apo akuzon pa prova kundër jush, ose e ka bërë vetë atë për të cilën ju akuzon ose do ta bënte po të ishte në vendin tuaj, prandaj edhe gjelozia apo urrejtja ose të dyja bashkë e bëjnë t’i besojë çdo maskarallëku që nxjerr nga goja.

Kur shoh se si bota ku jetojmë është bërë gjithnjë e më shumë falë rrjeteve sociale, lëndina ku ferrat e pafundme të rrenës shumohen me shpejtësinë e klikimit, ndërsa lulet e së vërtetës mbyten rëndom nga ferrat, më shkon gjithnjë mendja tek Librat e Shenjtë, ku shpifësi shfaqet edhe më i keq se vrasësi”, shkruan Rama.

https://www.facebook.com/share/r/1GiHKAgMit/

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *