Skip to content

Edi Rama paralajmëron dorëheqjen, protestat po shkojnë te dera e kryeministrit për ta larguar nga zyra, mazhoranca

Edi Rama paralajmëron dorëheqjen, protestat po shkojnë te dera e kryeministrit për ta larguar nga zyra, mazhoranca në situatë alarmante
Deklaratat e përsëritura të kryeministrit Edi Rama, ku ai ka pranuar se presioni i krijuar nga protestat dhe reagimet e forta publike e ka bërë të mendojë edhe mundësinë e largimit nga detyra, kanë ndezur debatin politik në vend. Rama ka lënë të kuptohet se situata e krijuar nga pakënaqësia qytetare e ka vendosur nën një presion të pazakontë politik dhe personal. “Këto janë ditë të habitshme, që për herë të parë më kanë bërë të mendoj që edhe t’ju përulem thellë për nderin e madh që më keni bërë dhe t’ju kërkoj ndjese për të ikur në katund dhe për t’ju lënë në duart që do zgjidhni vetë pastaj për të mbrojtur Shqipërinë nga të huajt. Por kam zgjedhur të bëj atë që kam bërë gjithmonë, t’ju udhëheq drejt asaj Shqipërie”, ka thënë Rama.

Mazhoranca në situatë alarmante

Presioni i mazhorancës është shumë i madh pasi ditën e djeshme u mbajt protesta e 18 radhazi e revoltës qytetare kundër qeverisë. Ajo që nisi si një kundërshtim ndaj projektit të resortit në Zvërnec dhe Sazan është shndërruar në një lëvizje shumë më të gjerë, me kërkesa që shkojnë përtej çështjeve mjedisore dhe prekin drejtpërdrejt qeverisjen, emigracionin, korrupsionin dhe të ardhmen e vendit. Prej më shumë se dy javësh, mijëra qytetarë mbushin çdo mbrëmje bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin para Kryeministrisë. Mes flamujve kombëtarë, pankartave dhe thirrjeve kundër qeverisë, kërkesa kryesore mbetet largimi i kryeministrit Edi Rama dhe mazhorancës socialiste. Kjo lëvizje ka marrë gradualisht karakteristikat e një proteste qytetare, ku pjesëmarrja nuk dominohet nga partitë, por nga qytetarë, familje, të rinj, profesionistë dhe emigrantë të kthyer për pushime. Në mbrëmje, pasi përfundojnë fjalimet para Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimin që tashmë është bërë pjesë e ritualit të përditshëm të protestës. Rrugët kryesore të Tiranës mbushen nga kolona të gjata njerëzish që lëvizin nën brohoritma dhe këngë patriotike. Megjithatë, protesta e së dielës shënoi një moment të ri për lëvizjen. Për herë të parë që nga nisja e revoltës, protestuesit bllokuan plotësisht autostradën Tiranë-Durrës dhe aksin që lidh kryeqytetin me Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit. Pas më shumë se dy orësh fjalime para Kryeministrisë, turma marshoi drejt mbikalimit të Kasharit, duke krijuar trafik kilometrik në arterien më të rëndësishme rrugore të vendit. Më pas protestuesit vijuan drejt rrugës së aeroportit, duke paralizuar për disa orë qarkullimin në një nga nyjet më strategjike të Shqipërisë. Gjithashtu, teksa mijëra qytetarë ishin mbledhur para Kryeministrisë, deputetja socialiste e Shkodrës, Marjana Koçeku, e njohur si “Neomalësorja”, njoftoi largimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste. Përmes një reagimi publik në rrjetet sociale, ajo deklaroi se do të vijojë mandatin si deputete e pavarur, duke argumentuar se kufijtë e saj përcaktohen nga vlerat personale dhe jo nga përkatësia partiake. Një nga elementët më të veçantë të kësaj lëvizjeje mbeten pankartat. Nëse në ditët e para dominonin mesazhet për mbrojtjen e Zvërnecit, sot pankartat pasqyrojnë një gamë shumë më të gjerë shqetësimesh. Emigrimi masiv, korrupsioni, kostot e jetesës, mungesa e shpresës për të rinjtë dhe kritikat ndaj klasës politike janë kthyer në temat kryesore të revoltës. Një tjetër aspekt i rëndësishëm i kësaj proteste është diaspora. Shqiptarë në Londër, Vjenë, Mynih, e qytete të ndryshme në SHBA dhe Kanada kanë organizuar tubime solidariteti në mbështetje të protestuesve në Shqipëri. Qindra shqiptarë që mbajnë në shpinë flamurin kuqezi kanë përcjellë mesazhe mbështetjeje për zhvillimet në Tiranë. Thirrja “Rama, jepe dorëheqjen” është bërë tashmë refreni i përbashkët i protestave brenda dhe jashtë vendit. Në këtë situatë, përballja mes protestës në rrugë dhe qeverisë në institucion po kthehet në testin kryesor të klimës politike në vend. Ndërsa njëra palë kërkon ndryshim të menjëhershëm politik, pala tjetër po përballet me rritje të vazhdueshme të presionit publik dhe politik. Mënyra se si do të zhvillohen ditët në vijim pritet të tregojë nëse kjo përplasje do të mbetet në nivel protestash të vazhdueshme apo do të kalojë në një fazë të re të zhvillimeve politike në vend.

Demaskim para botës

Nga ana tjetër Rama ishte gjithmonë kryeministri karizmatik i Shqipërisë, që shkonte në samite ndërkombëtare me atlete të bardha, bënte batuta dhe shkëmbente përqafime me liderët europianë. Në sytë e mediave ndërkombëtare, kryeministri paraqitej si ai “djali çapkën” mes gjithë atyre liderëve seriozë, duke u bërë një figurë e pëlqyer edhe për gazetarët, që nxitonin t’i kapnin ndonjë deklaratë pikante apo ndonjë moment të pazakontë që do t’u garantonte klikime. Në konferenca, Rama fliste se si Shqipëria po zhvillohej, për dëshirën e madhe të shqiptarëve për anëtarësim në BE dhe se si reformat e qeverisë së tij e kishin transformuar Shqipërinë, duke e bërë gati të ulej në tryezën e madhe të vendeve europiane. Shqipëria shfaqej si historia e suksesit të Ballkanit dhe Rama si arkitekti i saj. Por, ato media që e shfaqnin si kryeministrin “perfekt”, nuk e dinin se çfarë bëhej vërtet në Shqipëri. Në sytë e tyre, nuk dukej realiteti që përjetojnë çdo ditë shqiptarët. Nuk dukej se si bregdeti, malet dhe pasuritë publike u janë dorëzuar një grushti oligarkësh, apo se si varfëria detyroi qindra mijëra shqiptarë të largoheshin nga vendi. Sigurisht që nuk tregohej as se si Edi Rama dhe mazhoranca e tij mbrojtën me votë Belinda Ballukun, që akuzohet nga SPAK për abuzim me qindra milionë euro të taksapaguesve shqiptarë. E për t’ia “çjerrë” maskën, do të duhej të flisnin vetë shqiptarët! Protesta që ka mbledhur dhjetëra mijëra shqiptarë në Tiranë dhe jo vetëm, u bë shkas që mediat ndërkombëtare të kuptonin se çfarë ndodh vërtet në vendin tonë. Ajo u kthye në një mesazh të fortë për botën, që tregoi se pas propagandës së suksesit fshihet një realitet krejt tjetër, një vend që vazhdon të përballet me korrupsionin, pabarazinë dhe kapjen e institucioneve. Për herë të parë, shumë gazetarë të mediave më prestigjioze ndërkombëtare nuk u interesuan për atletet e bardha apo batutat e zakonshme. Pyetjet e tyre u fokusuan tek ekonomia shqiptare, tek skandalet me investimet strategjike dhe te betonizimi i zonave të mbrojtura. Ajo që propaganda kishte tentuar të fshehë për vite me radhë, iu tregua botës nga vetë shqiptarët, ata që duhet të marrin në dorë fatin e tyre. Protesta që dje hyri në ditën e 18-të, i tregoi botës se Shqipëria nuk është ajo që shfaqet në deklaratat e Ramës, por një vend që Zoti i ka falur gjithçka, por politikanët ia kanë marrë e nuk po dinë të ndalen. Kjo protestë, që duket se nuk do të ndalet deri në arritjen e qëllimit për largimin e Ramës, deri më tani e ka arritur një sukses: t’i tregojë botës realitetin shqiptar!

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *