Skip to content

Pas votimit të Parlamentit Evropian, reagon kryeministri Rama

Parlamenti Evropian miratoi të mërkurën raportin për Shqipërinë, duke përfshirë edhe një amendament që shpreh shqetësim serioz për zhvillimet në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës dhe ndikimin që mund të kenë ndryshimet ligjore të viteve të fundit mbi zonat me vlerë të veçantë ekologjike.

Pak pas votimit, Kryeministri Edi Rama reagoi përmes rrjeteve sociale, duke argumentuar se shumica dërrmuese e eurodeputetëve mbështeti progresin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian, ndërsa amendamenti i miratuar nuk ndryshon vlerësimin e përgjithshëm pozitiv për vendin.

“Ja edhe Parlamenti Evropian e ndau ‘shapin’ e stuhisë digjitale të dezinformimit nga ‘sheqeri’ i zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese futën qorrazi si amendament të Rezolutës për Shqipërinë”, shkroi Rama.

Kryeministri e paraqiti votimin si një konfirmim të mbështetjes evropiane për Shqipërinë, duke ironizuar kritikët e projektit në Zvërnec dhe protestat që prej javësh po zhvillohen në vend.

“Tani o është çmendur dhe korruptuar krejt Evropa, që përmes Parlamentit të saj e vlerëson lart Shqipërinë dhe nxit anëtarësimin tonë sa më parë në BE, o ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën e javëve të fundit me mbrojtjen e flamengove dhe po e bitisin si luftë për pushtet në emër të flamengove”, deklaroi ai.

Amendamenti i miratuar nga Parlamenti Evropian shpreh shqetësim për zhvillimet në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës, duke argumentuar se ato tregojnë pasojat praktike të ndryshimeve ligjore të viteve të fundit dhe rreziqet që ato mund të sjellin për zona me vlera të njohura ekologjike.

Eurodeputetët kërkojnë që autoritetet shqiptare të vendosin një moratorium mbi procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore në zonat e mbrojtura, derisa të sigurohet përputhja e plotë me standardet evropiane për mbrojtjen e natyrës dhe me kërkesat e Kapitullit 27 të negociatave.

Teksti nënvizon gjithashtu se çdo projekt në këtë zonë duhet t’i nënshtrohet një vlerësimi të plotë të ndikimit në mjedis sipas standardeve të Bashkimit Evropian, duke garantuar pjesëmarrjen transparente të komuniteteve lokale, shkencëtarëve dhe shoqërisë civile.

Megjithatë, Rama këmbënguli se projekti do të ecë përpara në përputhje me standardet evropiane të mjedisit.

“Në çdo rast flamengot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet, Zvërneci do të zhvillohet bazuar në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe ne do të vazhdojmë ta ngjisim Shqipërinë në majën ku ndodhet shtëpia e Evropës së Bashkuar”, përfundoi kryeministri.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *