
Për herë të parë, dosja e SPAK-ut dhe materialet e ardhura nga autoritetet e huaja bëjnë të mundur që të ilustrohen me foto takimet në ishullin e famshëm të Arubas, duke hedhur dritë mbi një nga dyshimet më të forta të hetimit: ekzistencën e kontakteve mes grupeve shqiptare të trafikut të kokainës dhe niveleve të larta të pushtetit, lidhje që sipas prokurorëve mund të kenë ndihmuar në depërtimin e parave të drogës në sektorët më fitimprurës të ekonomisë shqiptare.
Në vendimin e masës së sigurisë për 20 persona, pjesë të grupit kriminal që furnizonte me kokainë Europën, trafikantët ngrihen mbi nivelin e të fortëve të provincës. Ata shfaqen si struktura të fuqishme transnacionale, me lidhje në Amerikën Latine, porte europiane, laboratorë përpunimi, kompani tregtare fasadë, sisteme pagesash cash, bitcoin dhe haëala, si dhe me miliona euro të gatshme për t’u futur në ekonominë shqiptare përmes ndërtimit.
Sipas dosjes, aktiviteti i tyre shtrihej nga Kolumbia, Ekuadori, Bolivia, Surinami, Paraguaji, Uruguai, Porto-Riko dhe Brazili drejt porteve të Antverpit dhe Roterdamit, përmes kompanive të frutave, mishit, qymyrit dhe sojës. SPAK thotë se kokaina fshihej në kontenierë, përpunohej në magazina në Belgjikë dhe Holandë dhe më pas shpërndahej në disa vende të Bashkimit Europian.
Në dosje thuhet se trafikantët kishin krijuar aleanca me grupe “hollandeze, belge, turke, izraelite, italiane, polake, braziliane, britanike, si dhe kartele të drogës nga Kolumbia, Paraguaji dhe Ekuadori”.
Pra, nuk bëhet fjalë për një grup lokal, por për një rrjet ndërkombëtar që kontrollonte zinxhirin tregtar, nga prodhimi i kokainës deri te tregu europian.
Në një pjesë të dosjes, SPAK përllogarit se vetëm për Luçiano Koçekun, pagesat e kryera në kuadër të këtij aktiviteti arrijnë “në vlerën totale prej 12,635,670 euro, 14,192,689 Paund, 5,035,000 dollar dhe 1.5 milion pesos”.
Sasitë e drogës për të cilat flitet janë po aq të mëdha. Në dosje përmenden 441 kilogramë kokainë të sekuestruar në Barcelonë, 162 kilogramë në Angli, 1.435 kilogramë në portin e Roterdamit, si dhe disa sekuestrime të tjera që sipas komunikimeve të SkyECC lidhen me “600 kg”, “1.2 ton”, “1 ton” dhe një tjetër “1 ton”.
Fotot në Aruba
Nga dokumentet e autoriteteve spanjolle, franceze, angleze etj, është e vështirë të përcaktohet një hierarki e qartë në strukturën e grupeve kriminale.
Si Artur Shehu, Alfredo Hamzai apo Luçiano Koçeku rezultojnë të jenë më shumë bashkëpuntorë se sa vartës të njëri-tjetrit.
Megjithatë në dosje, prokurorët veçojnë dy emra: “Personat nën hetim Alfredo Hamzai, Luçiano Koçeku, të cilët janë drejtues të grupeve kriminale që trafikojnë lëndë narkotike, mundësojnë zinxhirë të ndryshëm të veprimtarisë kriminale duke patur kontroll të plotë si të burimit prej nga vjen lënda narkotike, të pikave se ku do të kalojë tranzit dhe më pas në transportimin drejt magazinave”.
Në dosje thuhet se të dhënat konsistojnë “në takime të zhvilluara në Majorka, Belgjikë e Aruba, takime të cilat konsistuar në vitet 2018-2021 kryesisht në kuadër të veprimtarisë kriminale të trafikimit të narkotikëve, por edhe për investime në Shqipëri”.
Në një tjetër pjesë, dokumenti është akoma më i drejtpërdrejtë dhe flet për “kryerjen e veprimeve noteriale mbi blerje të pasurive të paluajtshme, investimin në mënyrë të drejtëpërdrejtë ose të fshehur pas subjekteve ndërtuese të njohura në aktivitetin e ndërtimit dhe të cilat përfitojnë lehtesisht leje zhvillimi dhe ndërtimi si investitor strategjik”.
Kjo është nyja kryesore e dosjes: grupet që sipas SPAK trafikonin kokainë me tonelata kërkonin të futeshin në Shqipëri përmes ndërtimit, pronave dhe investimeve strategjike.
Jo si qytetarë anonimë që blejnë një apartament për të fshehur disa para, por si aktorë që kërkonin të diktonin sektorin më të varur nga shteti: lejet, zhvillimet bregdetare, licencat, regjistrimet e pronave dhe statuset e posaçme.
Pikërisht në këtë kontekst marrin rëndësi të veçantë takimet e zhvilluara në Aruba.
Sipas përmbledhjes së dërguar nga autoritetet belge, në janar-shkurt 2019 janë vëzhguar takime ku kanë marrë pjesë disa prej personave nën hetim. Dosja citon: “në ishullin e Arubas (Antilet Holandeze), nga 24 deri më 31 janar 2019, ku morën pjesë ISMAILAJ Arben, MEMETI Elton, RAMA Adrian, SHEHU Artur dhe SHEHAJI Bujar”. Shiko fotot më poshtë:



Përfaqësuesi i lartë shtetëror në Aruba
Në të njëjtën pjesë, ku citohen autoritetet e huaja që kanë hetuar në kuadër të operacionit “Black Eagle” në Spanjë, dosja shton edhe një element shumë më të fortë politik. Aty thuhet se nga autoritetet belge janë marrë “të dhëna mbi takime të kryera nga ana e tyre me përfaqësues funksionarë të lartë shtetërore të shtetit shqiptar në Aruba”.
Megjithatë emri i këtij funksionari të lartë nuk del në asnjë fragment të dosjes, një fakt që lë hapësira për interpretim. Kush është zyrtari i lartë që ishte në Aruba? Përse SPAK nuk e identifikon publikisht?
Dosja nuk thotë nëse funksionari është pyetur, hetuar apo përjashtuar nga dyshimet. Por fakti që vetë dokumenti përmend “përfaqësues funksionarë të lartë shtetërore të shtetit shqiptar në Aruba” është i mjaftueshëm për të ngritur një pyetje serioze hetimore dhe politike: A është lënë qëllimisht jashtë emri i zyrtarit, apo hetimi është ende në fazë ku SPAK nuk e ka dokumentuar rolin e tij?
Kjo pyetje bëhet edhe më e fortë nga mënyra se si autoritetet belge e përshkruajnë kuptimin e këtyre takimeve. Në dosje thuhet: “Sipas provave të pjesshme të paraqitura, këto takime duket se kanë të bëjnë me projekte pasurish të paluajtshme në Shqipëri, potencialisht të financuara me fonde të paligishme, me mbështetjen e autoriteteve politike”.
Nëse takimet kishin të bënin me projekte pasurish të paluajtshme në Shqipëri, nëse financimi dyshohej se vinte nga fonde të paligjshme dhe nëse përmendet “mbështetja e autoriteteve politike”, atëherë funksionari i lartë shtetëror merr një rol të rëndësishmë në hetime. Ai është hallka që mund të shpjegojë se si arritën trafikantët e drogës të kushtëzojnë politika ekonomike të rëndësishme për vendin.
Trafikantët me shtetin në dispozicion
Dosja e jep përgjigjen në disa drejtime: për të blerë prona, për të siguruar leje zhvillimi, për licenca, për investime strategjike dhe për legalizimin e parave përmes industrisë së ndërtimit.
SPAK thotë se pastrimi kryhej përmes blerjes së pasurive të paluajtshme, fshehjes së pronësisë, copëzimit të pronave, tjetërsimit dhe më pas dhënies së trojeve te subjekte zhvilluese ndërtimi. Në dosje thuhet se ky mekanizëm kishte si qëllim “vështirësimin e gjurmimit dhe përfitimin e këtyre, duke shmangur dhe shkëputur lidhjen ndërmjet përfituesit fillestar” dhe “përfituesit fundor”.
Më tej, sqarohet se trojet u jepeshin subjekteve ndërtuese “duke intregruar dhe përzier në këtë mënyrë të ardhurat e paligjshme me ato të ligjshme, provuar në disa raste në dijeni të plotë të subjekteve ndërtues”.
Kjo është arsyeja pse një funksionar i lartë shtetëror kishte vlerë për një grup të tillë.
SPAK e përmbledh këtë skemë duke thënë se të ardhurat kriminale pastroheshin “nëpërmjet industrisë së ndërtimit në shtetin tonë dhe kryesisht në Tiranë dhe bregdetin jugor të Shqipërisë”.

Si ilustrim i këtij fakti është një komunikim mes Luçiano Koçekut dhe Alfredo Hamzait në SKY ECC. Sipas dosjes, Koçeku i tregon Hamzait një pronë pranë Green Coast dhe diskutohet për leje ndërtimi. Dosja thotë se Hamzai i thotë “merru me lejen (e ndërtimin) dhe pak nga pak do bëhet (ndërtohet) për ta”, ndërsa Koçeku i komunikon se “tashmë e ka marrë lejen dhe se do të ndërtojnë më shumë vila në zone”.
Në një tjetër pjesë, sipas dosjes, kur Hamzai pyet nëse është marrë leja për tokën anësore, Koçeku përgjigjet se “duhet të paguaj ca lekë për ta hequr nga zona e gjelbër, dhe e vendos për të ndërtuar”. Hamzai i kthen përgjigje: “lart (në tokë…) jemi të qetë, mund të ndërtojmë vila të mëdha”.

Be First to Comment