
Ja si u zbulua vila në pronësi të Belinda Ballukut në bashkëpunim me Viola Haxhiademin, si është zhdukur nga hetimet dhe mediat prona e Maksim Hetemajt
Prokurorët e Posaçëm (SPAK) kanë konfirmuar, se si vila në bregdet është produkt i një afere korruptive, që Belinda Balluku e ka përfituar fal një tenderi 1 milionë euro kur mbante postin e drejtoreshës së Albcontrol, dhe në këtë rast regjistrimi i u bë duke përdorur Igli Taren dhe një prej bashkëpunëtoreve të saj më të ngushta Joana Bushin. Në njoftimin zyrtar SPAK konfirmon se ndjekja e hetimeve me metoda speciale, grumbullimi i provave dixhitale dhe provave të tjera të administruara deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, rezultojnë të dhëna për fakte penale të reja në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Rasti korruptiv lidhet me tenderin me objekt “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, me fond limit 88,651,633 (tetëdhjetë e tetë milion e gjashtëqind e pesëdhjetë e një mijë e gjashtëqind e tridhjetë e tre) lekë, si dhe “Shtesë kontrate për ‘Rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve’”, me vlerë 14,161,814 (katërmbëdhjetë milion e njëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e tetëqind e katërmbëdhjetë) lekë pa TVSH. Në lidhje me këtë procedurë, rezulton se shtetasja Belinda Balluku, në cilësinë e titullares së autoritetit kontraktor “Albcontrol” sh.a, me detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme, në bashkëpunim me shtetasin Evis Berberi, me detyrën e Shefit të Sektorit të Prokurimeve, si dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit S.P., E.N. dhe A.M., kanë paracaktuar fituesin e këtij tenderi.
Këto veprime lidhen me fazën e përgatitjes së projektit dhe zhvillimit të procedurës, në përcaktimin e kritereve dhe miratimin e dokumenteve të tenderit, duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të procedurës së prokurimit, operatorin ekonomik “Eurocol” sh.p.k. Favorizimi i shoqërisë fituese ka vazhduar edhe në momentin e lidhjes së kontratës, duke i ofruar parapagim të menjëhershëm në vlerën 50% të kontratës, si dhe gjatë zbatimit të kontratës dhe shtesës së saj. Nga hetimi rezulton se shtetasja Belinda Balluku, për shkak të funksionit të saj publik si Drejtore e Përgjithshme e Albcontrol sh.a, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k. në procedurën e sipërcituar, ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt, i cili, referuar kontratës së porosisë, është në vlerën 145,000 (njëqind e dyzet e pesë mijë) euro, që konsiston në pasuri të paluajtshme, konkretisht vilën me nr. F6, në resortin turistik “Ëhite Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, me zhvillues shoqërinë “Eurocol” sh.p.k. Përfitimi i parregullt është kërkuar gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, ku rezulton se në atë kohë shoqëria “Eurocol” sh.p.k. kishte aplikuar dhe ishte pajisur me Lejen Zhvillimore Komplekse nr. 2385/1 prot., datë 27.3.2015, të miratuar me Vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit nr. 7, datë 7.3.2014, “Për miratimin e lejes zhvillimore komplekse për resortin turistik në fshatin Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë”.
Vila
Pra siç thekson SPAK, ka prova të reja që konfirmojnë se Belinda Balluku përkundër dhënies së këtij tenderi në vlerë mbi 1 milionë euro ka kërkuar si ryshfet vilën në bregdet. Jo vetëm korrupsion, por SPAK akuzon ish/zv-kryeministren edhe për Pastrim Parash, duke fshehur dhe regjistruar në emër të personave të tjerë përfitimet e korrupsionit. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu përdorimin e veprimeve juridike të dyshuara si fiktive, me qëllim fshehjen e origjinës dhe pronësisë reale të pasurisë. Pasuria e vendosur nën “sekuestro preventive” përbëhet nga një “Vilë individuale dy katëshe tip Begonia me Nr.F6, parcela e rrethuar në dispozicion të vilës është jo më pak se 300 m2. Vila F6, brenda kësaj parcele, ka një sipërfaqe prej 103m2 (kati përdhe 54 m2 dhe kati i parë mbi përdhe 49 m2). Vila F6 ka edhe verandën 34m2. Vendparkimi ndodhet brenda sipërfaqes së parcelës.
[Referuar kontratës së porosisë me nr.1059 rep, nr.650 kol, datë 05.12.2018] Siç konfirmohet nga kontrata e porosisë, fill pas emërimit të Belinda Ballukut si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, do të shpërblehej dhe pushonte në vilën e siguruar nga korrupsioni, si bashkëpunëtore e Edi Ramës. Në vijim të hetimeve të zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin nr.412, datë 3.6.2026, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi pasurinë e paluajtshme, në pronësinë indirekte të shtetases Belinda Balluku, që ndodhet në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë.
Për të fshehur këtë pasuri, produkt të korrupsuionit, Belinda Balluku ka përdorur një nga njerëzit e saj më të afërt për shumë vite, ish-futbollistin Igli Tare. E bashkë me të, SPAK akuzon edhe ish-shefen e kabinetit të Ballukut, Joana Bushi, një prej personazheve kyç të karrierën dhe aferat e ish. Zv/ kryeministres. Rezulton se shtetasja Belinda Balluku ka kryer veprimin fiktiv të kontratës së porosisë nr. 1059, datë 5.12.2018, të lidhur mes shtetasit Igli Tare dhe pronarit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k., shtetasit Pandeli Carapuli. Veprimet e kundërligjshme në formën e pastrimit të produkteve të veprës penale kanë vijuar nga shtetasit Belinda Balluku, Igli Tare dhe Jona Bushi, duke kryer veprimin tjetër fiktiv, atë të kontratës së qirasë (kontratë dore), datë 25.5.2022, dhe amendamentin e kësaj kontrate, datë 26.4.2024.
Vila e vartëses së Ballukut dhe misteri i pronës së Maksim Hetemajt
Vila me nr.F6 ndodhet në një nga zonat elitare të Dhërmiut. Ndërsa ngjitur me vilën e Ballukut, burime bëjnë me dije se dyshohet se është dhe vila e vartëses së saj, Viola Haxhiademi, me detyrë Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës, si edhe vila tjetër e Maksim Hetemajt ish-drejtor në Albcontrol, tashmë Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil. Për këtë të fundit hetimet dhe mediat kanë qenë të heshtura pasi askush deri më sot nuk e ka përmendur pronën e Hetemajt të dyshuar të fituar nga korrupsioni si pjesë e “bandës Balluku”.
Hetimet
Nga ana tjetër sinjalizimi që besohet se ka ardhur në SPAK nga një ambasadë e huaj që vepron në Shqipëri, sqaronte se vila luksoze i ishte dhuruar Belinda Ballukut, nga biznesmeni Pandeli Carapuli. Por hetimi i thelluar i kryer gjatë këtyre muajve ka nxjerrë zbuluar manovrat e përdorura nga zyrtarja e lartë, Belinda Balluku. Teksa kompania e Carapulit ka fituar dy tenderat, kanë filluar të rrjedhin dhe pagesat financiare nga “Albcontrol” tek shoqëria “Eurocol”. Mirëpo në pamundësi për të marrë vilën luksoze në emrin e saj apo familjarëve të afërm, Belinda Balluku në atë kohë drejtoreshë,ka zgjedhur një figurë të njohur të sportit Shqiptar dhe ai Italian. Vlera e kësaj kontrate porosie të firmosur mes Tares dhe Carapulit në atë kohë ishte 145 mijë euro. Verifikimet e kryera nga SPAK, kanë zbuluar se Igli Tare ka paguar përmes një banke të Nivelit të Dytë në Shqipëri, shumën 70 mijë euro. Ndërsa pjesa tjetër e mbetur si diferenca prej 75 mijë euro, nuk ka asnjë gjurmë se në çfarë mënyre është paguar, pasi nuk ka një transaksion bankar.
Hetimi i SPAK ka provuar se Tare nuk e ka paguar vetë shifrën 70 mijë euro, por ka autorizuar me prokurë vëllain e tij, Agron Tare, që të kryente transaksionin 70 mijë euro në bankë. SPAK, pretendon se Tare nuk ka qënë asnjëherë dhe ska jetuar në vilën luksoze në Gjilekë. Dhe këtë fakt grupi i hetimit e mbështet në deklarimet e punonjësve të kompleksit, mirëmbajtësit e vilës, që tregojnë se në atë pasuri nuk e kanë parë kurrë, Igli Taren. Sipas punonjëse në këtë pasuri vinte Belinda Balluku dhe ata e kanë krijuar bindjen se vila i përkiste pikërisht kësaj zyrtare. Gjithashtu, Igli Tare, nuk është marrë fare as me mobilimin dhe arredimin e kësaj Vile luksoze, pasi me një gjë të tillë është marrë vetë, Belinda Balluku dhe familjarët e saj.
Një fakt i tillë sipas dosjes së SPAK, është provuar nga gjetja e komunikimeve me shkrim, mesazheve zanore dhe fotografive në telefonat e personave në hetim, ku faktohet qartazi që mobilimin e ka ndjekur Balluku dhe rrethi i saj miqësor. Ndërkohë kur kishin kaluar 3 vite e 5 muaj nga firmosja e kontratës së porosisë me Carapulin dhe kur Igli Tare, nuk kishte shkuar asnjëherë të shikonte vilën luksoze që kishte blerë, çuditërisht ai firmos një kontratë dore jo para noterit, ku pranonte që i jepte me qera pasurinë vilën F-6, shtetases Joana Bushi. Mësohet se SPAK, nuk ka konstatuar mandate pagesash apo transaksione bankare të kryera nga Joana Bushi në drejtim të llogarive bankare të ish-futbollistit, Igli Tare. Është pretenduar se pagesat janë bërë në rrugë informale. Por pavarësisht se juridikisht në letra prona është në emër të Igli Tares dhe ky i fundit nuk ka shkuar asnjëherë, por ja ka lënë me qera Joana Bushit, vilën luksoze e gëzon Belinda Balluku dhe familjarët e saj. Ndaj prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, në datën 3 qershor 2026 vendosën të sekuestrojnë këtë vilë, si të provuar se i përket, Belinda Ballukut.

Be First to Comment