
Ali Ahmeti në fjalën e tij në Kuvendin e BDI-së vlerësoi rolin historik të Shqipërisë në mbështetjen e Kosovës e ndërsa u shpreh se vendi po përballet me pasoja nga zhvillimet dhe protestat e fundit, veçanërisht në sektorin e turizmit dhe investimeve.
Kreu i BDI tha se këto zhvillime po ndikohen edhe nga fushata dhe reagime të jashtme, duke përmendur Greqinë dhe Beogradin si burime të ndikimit.
Ahmeti shtoi se qëndrimi i tij nuk është në mbrojtje të Edi Ramës, por në mbrojtje të Shqipërisë, duke paralajmëruar se destabilizimi i vendit dëmton më gjerë interesat kombëtare shqiptare.
“Ka ca ngjarje, zhvillime edhe në Shqipëri. Ai është vend ku ne na kanë ndihmuar. Shqipëria ka strehuar Kosovën. Shqipëria është pjesë e pandarë e lirisë së Kosovës. Pa ndihmën, pa mjetet e Shqipërisë, Kosova nuk do ishte Kosova që është sot.
Prandaj, me dhimbje po i përcjellim gjërat. Ne e shohim që këtu Shqipëria, nga këto protesta që nuk dihet ku e kanë kokën, merr dy goditje. Goditje të forta.
Industria kryesore e Shqipërisë është turizmi. Goditet tek turizmi. Nga doli fushata e parë? Nga Greqia, sepse turizmi po i rrezikohet nga Shqipëria, po i rrezikohet Greqisë. Që një shtet fqinj s’bën me menduar kështu për fqinjin e vet, po ja që ka ndodhur, që deklarata e parë dhe reagimet e para erdhën nga Greqia.
Kush u bë zëdhënësi i parë i kësaj fushate? Në Beograd? I njëjti që bën fushatën e protestave në Serbi, bën fushatën për protestat në Shqipëri.
Dikush mund të ngrihet dhe të thotë: Ali Ahmeti po mbron Edi Ramën. Jo, Ali Ahmeti mbron Shqipërinë dhe i dhimbet Shqipëria.
Po goditet. Po goditet dega kryesore e industrisë, turizmi; dega kryesore, investimet e huaja dhe vendore. Mos kujtoni që nuk ka pasoja për investitorët vendorë, e mos flasim më për të huaj. Se asnjë investitor vendor nuk rrezikon kapitalin e vet aty ku ka pasiguri.
Dhe kush tenton pasigurinë ta krijojë në Shqipëri? Armiqtë e kombit shqiptar. Unë nuk them që këta kanë dalë në shesh aty, janë armiq, po kanë rënë në grackën e armiqve, pa analizuar dhe pa e studiuar mirë pasojat që i shkaktojnë kombit, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë”, tha ai.

Be First to Comment