Skip to content

“Qeveri tranzitore jopartiake, por e zgjedhur nga Parlamenti”, Berisha del kundër protestuesve

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ndal te kërkesat e lexuara nga Dritan Goxhaj në protestën në Tiranë.

Berisha u shpreh se është dakord me kërkesat për dorëheqjen Edi Ramës dhe vendosjen e një kufizimi për dy mandate të kryeministrit, por doli kundër zgjedhjes me short të Asamblesë së Tranzicionit dhe qeverisë teknike, duke argumentuar se zgjedhja e kësaj të fundit duhet bërë nga Parlamenti.

“Së pari, në kërkesat e lexuara, e paraqitura nga Goxhaj, përsëritet dorëheqja e menjëhershme e Edi Ramës, kërkesë kjo që ne e mbështesim pa asnjë rezervë. Së dyti, shtohet aty kufizimi i mandatit të kryeministrit në dy mandate. PD është plotësisht dakord. Që nesër është e gatshme të votojë në parlament dhe t’i bëjë thirrje qytetarëve të votojnë për një masë të tillë. Pse kjo? Sepse u bë e qartë që Rama nuk lejon rotacionin e pushtetit. Këtë nuk e themi ne, por e thonë dokumentet ndërkombëtare. Atëherë ka një mençuri: ta largojë Kushtetuta. Të them edhe një gjë si kryeministër. Nëse ti punon për një program, 8 vite i ke absolutisht të mjaftueshme, jo për zbatimin 100% të tij, por për zbatimin e pikave më kryesore të tij dhe për zbatimin e tij në masën 80-90%. Pra, çfarë qëndron në rastin e Edi Ramës, është që ai qëndron në pushtet pa zgjedhje. Unë kuptoj që protestuesit duan t’i japin një përgjigje të tillë nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës.

Kjo parti ka luftuar më shumë se kushdo tjetër kundër atyre ligjeve. Ka ndjekur çdo procedurë të mundshme kundër tyre, qoftë kundër ligjit për zonat e mbrojtura, për koncesionet dhe investimet strategjike. Rikujtoj një moment, në platformën tonë, investimi pa taksa është pranuar vetëm në zonat malore.

Para një jave kam propozuar një qeveri jopartiake, tranzitore. Jo e zgjedhur me short. Të votohet në Parlament. Një qeveri jashtë Kushtetutës nuk bëhet fjalë. Unë s’dal jashtë ligjit. Kam qenë ish-president, ish-kryeministër. Duhet të votohet nga Parlamenti, të marrë votëbesimin dhe të çojë vendin në zgjedhje. Unë nuk e kuptoj atë propozimin e tyre që kanë për një qeveri jashtë Kushtetutës. Unë kam kuptuar kërkesën si një kërkesë jopartiake, të përbërë nga ekspertë të shquar, intelektualë të njohur, në bazë të një marrëveshjeje, që do marrë votëbesimin e plotë. Unë këtë mekanizëm di”, u shpreh Berisha.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *