Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ndryshuar këtë të premte masën e sigurisë për ish-drejtorin e Bashkisë së Tiranës, Taulant Tushe duke e zëvendësuar “arrestin në shtëpi” me masën “detyrim paraqitjeje”.
Tushe ndodhej në arrest shtëpie që prej janarit të këtij viti, pas një vendimi të mëparshëm të Gjykatës së Posaçme të Apelit. Me vendimin e fundit, gjykata ka vendosur lehtësimin e masës së sigurisë ndaj tij, ndërsa çështja ndaj ish-zyrtarit të Bashkisë së Tiranës vijon të jetë në shqyrtim.
Emri i Taulant Tushes është pjesë e dosjes së njohur si “5D”, ku ai akuzohet së bashku me ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Redi Molla dhe Mariglen Qato. Sipas Prokurorisë së Posaçme në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave Tushe së bashku me persona të tjerë, kanë favorizuar shoqërinë “5D Konstruksion” sh.p.k. në disa procedura tenderimi të Bashkisë së Tiranës.
Sipas hetimeve të SPAK, kompanisë i janë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta në raport me operatorët e tjerë ekonomikë, duke u shpallur fituese në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik.
Taulant Tushe u arrestua në mars të vitit 2024 me urdhër të SPAK, ndërsa në janar të vitit 2026 ndaj tij u caktua masa e arrestit në shtëpi. Përveç kësaj dosjeje, ish-zyrtari i Bashkisë së Tiranës po gjykohet edhe për çështjen e inceneratorit të Tiranës.

Be First to Comment