
Qeveria “Rama” nën hetim për trafik droge nga SHBA, DASH dhe CIA 6 muaj afat për të dorëzuar raportin presidentit amerikan, kryeministri shqiptar rrezikon sanksione të rënda si terrorist në bazë të urdhrit të Trump
Rigels Seliman
Teksa kryeministri Edi Rama prej një muaji është në presion për shkak të protestave që kërkojnë dorëheqjen e tij, Uashingtoni ka ndezur zyrtarisht motorët e një hetimi që mund të çojë në rrëzimin e parakohshëm të qeverisë “Rama”. Kongresmeni republikan, Joe Wilson ka depozituar një amendament “bombastik” në Kongresin Amerikan, i cili ka kaluar me urgjencë në Komisionet e Rregullores dhe Ligjeve. Ky dokument i rreptë detyron Departamentin e Shtetit (DASH) dhe Drejtorin e Inteligjencës Kombëtare të nisin një radiografi të thellë mbi shkallën e narkotrafikut në Shqipëri. Agjencitë më të fuqishme të inteligjencës në botë, përfshirë CIA-n, kanë marrë një afat të prerë prej vetëm 180 ditësh (6 muaj) për të dorëzuar një raport të klasifikuar përpara Presidentit të SHBA-së dhe Kongresit. Ky raport do të skanojë me imtësi rolin e drejtpërdrejtë apo lehtësimin që qeveria e kryeministrit Edi Rama mund t’i ketë bërë karteleve të drogës. “Jo më vonë se 180 ditë nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, Sekretari i Shtetit në koordinim me drejtorin e Inteligjencës Kombëtare, do t’u paraqesë komiteteve përkatëse të Kongresit një raport të klasifikuar, të përgatitur në përputhje me mbrojtjen e burimeve dhe metodave të inteligjencës i cili shqyrton shkallën e narkotrafikut në Shqipëri dhe rolin e qeverisë së Shqipërisë në lehtësimin ose mundësimin e këtij narkotrafiku”, thuhet në amendament, i cili është paraqitur rreth dy javë më parë dhe, sipas procedurave parlamentare amerikane, ka kaluar tashmë në Komisionin e Rregullores dhe në Komisionin e Ligjeve, ku hapi i radhës është shqyrtimi dhe votimi në seancë plenare të Kongresit.
Prapaskenat
Por ndërsa shohim amendamentin e kongresmenit Wilson që kërkon nisjen e një hetimi nga institucionet amerikane mbi shkallën e narkotrafikut në Shqipëri dhe rolin që, sipas propozimit, mund të ketë pasur qeveria shqiptare në lehtësimin ose mundësimin e tij, sinjalet janë se kryeministri Edi Rama do të ketë shumë telashe. Situata bëhet drithëruese për shefin e qeverisë shqiptare, i cili tashmë rrezikon sanksione ekstreme dhe mund të klasifikohet zyrtarisht si “mbështetës i terrorizmit global”. Gjithçka bazohet në Urdhrin Ekzekutiv 14157, të nënshkruar nga Presidenti Donald Trump vitin që shkoi, i cili e trajton trafikun e drogës si kërcënim direkt ndaj sigurisë kombëtare të SHBA-së. Sipas këtij mekanizmi të egër ligjor, çdo politikan që ka bashkëpunuar me krimin nuk ndiqet më thjesht për shkelje ligjore, por goditet si terrorist financiar. Kjo nënkupton ngrirje të menjëhershme të pasurisë, bllokim të aseteve dhe izolim total nga sistemi financiar ndërkombëtar për kryeministrin dhe bashkëpunëtorët e tij. Gjatë gjithë kohës, mesazhet e ashpra të Ambasadës së SHBA-së në Tiranë dhe vizitat e zyrtarëve të lartë të drejtësisë amerikane kanë qenë paralajmërime strategjike se koha e pandëshkueshmërisë ka mbaruar. Mirëpo teksa Tirana ndodhet nën presionin e madh të protestave që kërkojnë dorëheqjen e tij, ky hap i Uashingtonit e vendos Edi Ramën me shpatulla pas muri. Rrethi i çeliktë po mbyllet me shpejtësi, duke e lënë ekzekutivin shqiptar përpara një spastrimi të pashmangshëm dhe një fundi politik të stuhishëm. Pra e gjithë kjo panoramë dhe lëvizja surprizë e kongresmenit amerikan tregon qartë se ditët e të paprekshmëve (politikanëve “VIP”) kanë mbaruar; ndërkohë që Uashingtoni ka vendosur vijën e kuqe dhe po godet pa mëshirë aty ku dhemb më shumë – paratë e pista në politikë.
Kush është kongresmeni republikan Joe Wilson?
Joe Wilson nuk është një emër periferik në politikën amerikane. Ai është anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme dhe i Komisionit për Forcat e Armatosura në Dhomën e Përfaqësuesve, bashkëkryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri–SHBA dhe prej vitesh një nga mbështetësit më të fortë të Kosovës në Kongres. Së bashku me kongresmenin Robert Aderholt, ai është bashkëkryetar i Grupit të Miqësisë Shqipëri-SHBA në Kongresin Amerikan, strukturë që merret me forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Wilson është gjithashtu pjesë e drejtimit të organizimit të Mëngjesit Kombëtar të Lutjeve në Shtetet e Bashkuara dhe njihet si një nga mbështetësit më aktivë të anëtarësimit të Kosovës në NATO. Në qarqet politike amerikane ai konsiderohet si një nga kongresmenët republikanë më të afërt me presidentin Donald Trump dhe ka mbajtur vazhdimisht qëndrime për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë, përfshirë zhvillimet në Ballkan. Nëse amendamenti miratohet edhe në seancën plenare të Kongresit, institucionet amerikane të përmendura në tekstin e tij do të kenë detyrimin ligjor të përgatisin raportin e kërkuar dhe t’ua paraqesin komiteteve përkatëse të Kongresit brenda afatit të përcaktuar.

Be First to Comment