
Në dëshminë e dhënë në GJKKO, SPAK e ka pyetur ish ministrin e Mbrojtjes Gazmend Oketa për punësimin si Shef Kabineti në vitin 2008 të Besnik Dervishit, një personazh që rezulton shumë I lidhur me Jamarbër Malltezin.
Dervishi u punësua në një kohë kur duhet të kalonte prona e ish kompleksit Partizani nga Ushtria te familjet pronare.
“Ai ka të njëjtin profesion si unë, inxhiner ndërtimi. Jemi njohur në rrethana pune. Me kalimin në pozicionin e ministrit i propozova t’i bashkohej ekipit tim”, tha Oketa në gjyq.
I pyetur nëse ishte në dijeni që Dervishi kishte aktivitet privat, Oketa tha se “Më parë e më vonë po, por jo kur ishte drejtor kabineti”.
Ndërsa Millonai e pyeti ish ministrin edhe nëse ishte në dijeni që Besnik Dervishi ka pasur komunikim me Vladimir Qirjazin për ccështjen “Partizani” dhe Oketa tha shkurt “Secili ka mbajtur vendin e tij të punës”.
Por çfarë rezulton nga dosja?
Besnik Dervishi kishte një kompani ndërtimi me emrin Standart Alb. Fillimisht edhe pse fillon pune në Ministrinë e Mbrojtjes më 14 prill 2008 ai vazhdon punën edhe si privat. Në dosjen e SPAK thuhet se një vit pas emërimit si drejtor i kabinetit të ministrit të mbrojtjes, më 9 qershor 2009 ai ia kalon aksionet Andrea Miços. Dhe menjëherë pasi ikën nga detyra e drejtorit të Kabinetit të Ministrit në shtator 2009, pra vetëm 3 muaj më pas e rimerr sërish kompaninë.
Dervishi më vonë, në vitin 2010, hap edhe kompaninë Supervizion Profesiona. Me këtë firmë ai rezulton se ka qenë supervizori i punimeve që shoqëria Kontakt do të kryente për llogari të Homeplan në kompleksin Magnet. Punimet në vitet 2010-2020 arrijnë rreth 220 mijë euro.
Gjithashtu nga analizimi i librave të blerjes të Kontakt SPAK ka zbuluar se Standart Alb, firma e parë e Dervishit, ka kryer shitje ndaj Kontakt në një vlerë totale prej 181,166,979 lekësh (pra mbi 1.8 milionë euro) në periudhën 2010-2021. SPAK ka gjetur edhe kontratën mes Standart Alb dhe Kontakt, përfaqësuar nga Fatmir Bektashi, për punime që do të realizohen në objektin “Homeplan”.

Be First to Comment