Fundjava sjell vapë intensive, temperaturat arrijnë deri në 40°C në disa zona
Shqipëria pritet të përballet me një tjetër valë të fortë të nxehti gjatë fundjavës, me temperatura që do të arrijnë deri në 38°C në qytetet kryesore dhe deri në 40°C në disa zona të izoluara. Sipas meteorologes Lajda Porja, masat e nxehta afrikane kanë nisur të ndikojnë vendin dhe kulmi i vapës pritet të jetë të dielën.
Qytetet më të nxehta do të jenë Shkodra, Elbasani, Berati, Gjirokastra, Tirana dhe Fieri, ndërsa në disa lokalitete si Kopliku, Cërriku, Belshi dhe Ura Vajgurore termometri mund t’i afrohet 40°C. Në zonat malore temperaturat do të jenë më të ulëta, me rreth 30-33°C.
Për pushuesit, parashikimi është pozitiv. Bregdeti do të dominohet nga moti i kthjellët dhe me diell, pa reshje. Vetëm të dielën pasdite priten rrebeshe të izoluara në skajin verior malor, kryesisht në zonat e Bajram Currit dhe Pukës, ndërsa pjesa tjetër e vijës bregdetare do të mbetet e favorshme për plazh.
Sipas parashikimeve, vala e të nxehtit do të vazhdojë edhe gjatë javës së ardhshme, me luhatje të vogla të temperaturave. Rreth mesit të javës mund të ketë rrebeshe të izoluara në veri dhe në disa zona të Shqipërisë qendrore, por bregdeti pritet të mbetet kryesisht me diell.
Meteorologia paralajmëroi gjithashtu për rrezik të lartë zjarresh, pasi temperaturat e larta do të shoqërohen me erë mesatare deri të fortë, sidomos në qarqet e Shkodrës, Lezhës dhe Vlorës, ku kushtet favorizojnë përhapjen e flakëve.

Be First to Comment