Sipas Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) të Maqedonisë së Veriut, moti do të jetë pjesërisht i vranët dhe i paqëndrueshëm. Në disa rajone, proceset atmosferike do të intensifikohen duke u shndërruar në stuhi afatshkurtra me reshje intensive, shkarkesa elektrike dhe erë që në vende të caktuara do të kalojë shpejtësinë prej 60 kilometrash në orë. Ekziston gjithashtu mundësia për paraqitje të izoluar të breshrit.
Mot i paqëndrueshëm pritet edhe në rajonin e Shkupit. Kryeqyteti do të ketë mot kryesisht të vranët me reshje shiu, ndërsa në disa pjesë të luginës priten reshje më intensive, bubullima, erë e fuqishme dhe mundësi për breshër.
Edhe Kosova pritet të përballet me zhvillime lokale të fuqishme atmosferike, me reshje shiu, bubullima dhe mundësi për breshër në disa rajone, veçanërisht gjatë orëve të pasdites. Temperaturat do të shënojnë rënie të lehtë në zonat ku do të ketë reshje.
Ndërkohë, në Shqipëri, moti do të jetë i nxehtë në pjesën më të madhe të vendit, por sidomos në zonat veriore dhe verilindore priten zhvillime të fuqishme të vranësirave që mund të sjellin reshje lokale, stuhi me bubullima, erë të fortë dhe në zona të izoluara edhe breshër.
Meteorologët u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në ambiente të hapura dhe gjatë drejtimit të automjeteve në kohën kur pritet moti i lig.
Sipas parashikimeve, kjo valë e paqëndrueshme do të zgjasë vetëm për një periudhë të shkurtër. Nga ditët në vijim pritet stabilizim i motit nën ndikimin e një fushe me presion të lartë atmosferik, me kthim të motit me diell dhe rritje graduale të temperaturave në të tre vendet.
Be First to Comment