Skip to content

Më pas SPAK njoftoi se e akuzonte zyrtarisht ministren e asaj kohe edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe, ndërkohë që vijonte hetimet për të gjithë këtë projekt madhor. Për të shtata procedurat tenderuese të Unazës së Madhe SPAK ka biseda të Belinda Ballukut me vartësit e saj, të gjetura kryesisht nga telefoni i kreut të ARRSH Ervis Berberi. SPAK thotë në dosje se nga provat ka rezultuar se Belinda Balluku, duke qenë në cilësinë e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, edhe pse formalisht kompetencat ia delegonte vartësve të saj, i ndiqte personalisht procedurat e tenderave, nga faza përgatitore, dorëzimin dhe vlerësimin e ofertave, e deri në momentin e lidhjes se kontratës me operatorët ekonomik fitues. Ndërkohë vijon hetimi për korrupsion e pastrim parash, lidhur me dy tenderë me vlerë mbi 1 mln euro në kohën kur Balluku ishte drejtoreshë e Përgjithshme e “Albcontrol”. SPAK thotë se tenderat iu dhanë në shkelje një kompanie ndërtimi, dhe Balluku mori ryshfet një vilë në Dhërmi me vlerë 145 mijë euro, e cila është sekuestruar me vendim të GJKKO.

Reagon PD

Por pasi SPAK i komunikoi dje Belinda Ballukut akuzën për shkelje të barazisë edhe në tenderët e 6 loteve të Unazës së Madhe – pasi më herët ishte marrë nën akuzë për lotin nr. 4 të Unazës dhe Tunelin e Llogarasë, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, shkroi në rrjetet e tij sociale se sot ish-zëvendëskryeministrja duhej të ishte me “me pranga në duar, por vazhdon të shëtisë e lirë, falë mbrojtjes politike të Edi Ramës dhe mosveprimit”. “Duhet të ishte me pranga në duar, por vazhdon të shëtisë e lirë, falë mbrojtjes politike të Edi Ramës dhe mosveprimit, sipas nesh të pajustifikueshëm, të SPAK-ut. Belinda Balluku është marrë sot e pandehur për akuza të tjera që lidhen me abuzimet në ushtrimin e detyrës. Shtimi i akuzave zyrtare nga SPAK ndaj krahut të djathtë të Edi Ramës rikonfirmon edhe një herë se qëndrimi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për heqjen e imunitetit të saj parlamentar ka qenë i drejtë dhe i domosdoshëm.

Një person që përballet me disa akuza për abuzim me miliona euro të Buxhetit të Shtetit dhe që po hetohet gjithashtu për korrupsion dhe pastrim parash nuk duhet të lejohet, të qëndrojë në liri sepse ekziston rreziku që të ndikojë mbi provat, të cenojë hetimet ose të intimidojë dëshmitarët. Ruajtja e standardeve të njëjta nga SPAK-u është një domosdoshmëri për të mos cenuar besimin e qytetarëve te drejtësia. Një drejtësi që nuk respekton parimin kushtetues të “barazisë së qytetarëve përpara ligjit” rrezikon të shndërrohet në një instrument selektiv, në vend që të garantojë drejtësi të barabartë për të gjithë. Një drejtësi që perceptohet se ndikohet nga vendimmarrja politike e mazhorancës nuk mund të konsiderohet as plotësisht e pavarur dhe as plotësisht e paanshme. Prandaj, SPAK-u duhet të zbatojë të njëjtat standarde për çdo zyrtar, pa përjashtim dhe pa privilegje politike.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *