Skip to content

Sipas informacioneve të siguruara, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 1 gushtit, rreth orës 22:00, kur Policia pranoi informacione operative për të shtëna me armë gjatë një ahengu familjar në fshatin Majac.

Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë nisur verifikimet dhe sigurimin e provave.

Sipas burimeve, i dyshuari është paraqitur para zyrtarëve policorë dhe ka pranuar se kishte shtënë në ajër gjatë festës së martesës së nipit të tij. Ai ka deklaruar se kishte përdorur një pushkë automatike AK-47 dhe një pistoletë me gaz.

Gjatë ndërhyrjes, i dyshuari ua ka dorëzuar vullnetarisht policëve armët, përkatësisht një pushkë automatike me karikator dhe një pistoletë me gaz, gjithashtu me karikator.

Me pëlqimin e pronarit të objektit është kryer bastisje në lokacion, ku hetuesit kanë gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja të pushkës automatike dhe katër gëzhoja të pistoletës me gaz. Të gjitha janë marrë si prova materiale dhe do t’i nënshtrohen ekzaminimeve përkatëse.

Pas përfundimit të veprimeve në vendin e ngjarjes, Sabri Osmani është shoqëruar në Stacionin Policor në Podujevë, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar procedurë penale për veprat “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Më pas, është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Policia e Kosovës vazhdon të bëjë thirrje që armët të mos përdoren gjatë ahengjeve familjare apo festimeve, pasi të shtënat festive mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve dhe përbëjnë vepër penale sipas legjislacionit në fuqi.

Shënim: Personi i përmendur në këtë rast konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij eventuale të provohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *