Numri i rasteve të konfirmuara është rritur ndjeshëm gjatë javës së fundit, ndërsa viktimat kanë shkuar në gjashtë, të gjitha persona mbi moshën 65 vjeç. Nga të infektuarit, 54 kanë shfaqur komplikacione në sistemin nervor qendror, si encefalit, meningjit apo paralizë akute. Njëzet pacientë vazhdojnë të trajtohen në spitale, tetë prej tyre në terapi intensive.
Vatrat kryesore ndodhen në Atikë, ku përfshihet edhe zona e Athinës, si dhe në Thesali dhe në Maqedoninë Qendrore. Autoritetet shëndetësore flasin për një qarkullim veçanërisht të lartë të virusit në Atikë, ndërsa disa zona të tjera janë shpallur me rrezik të lartë, edhe pse ende nuk kanë regjistruar raste te njerëzit.
Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht nga pickimi i mushkonjave të infektuara. Mushkonjat e marrin virusin nga shpendët, ndërsa ai nuk përhapet nga një person te tjetri përmes kontaktit të zakonshëm.
Rreth 80 për qind e të infektuarve nuk shfaqin simptoma. Shumica e të tjerëve kalojnë një formë të lehtë, të ngjashme me gripin, ndërsa më pak se një për qind zhvillojnë komplikacione të rënda neurologjike.
Më të rrezikuarit janë të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe ata me imunitet të dobësuar. Autoritetet paralajmërojnë se sezoni i transmetimit të virusit vazhdon dhe se mund të shfaqen raste të reja edhe në rajone të tjera.
Be First to Comment