Rënia e 48-vjeçarit u ndal në ballkonin e apartamentit të katit të dytë. Sipas raportimeve të mediave italiane, pikërisht ky detaj ka qenë vendimtar, pasi ka zbutur goditjen dhe ka shmangur rënien e tij deri në tokë.
Në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës, vullnetarët e Kryqit të Kuq, personeli mjekësor i 118-s, si dhe zjarrfikësit.
Operacioni i shpëtimit ishte i vështirë për shkak të pozicionit ku kishte mbetur 48-vjeçari. Zjarrfikësit arritën ta nxirrnin në mënyrë të sigurt nga ballkoni i katit të dytë dhe më pas ia dorëzuan ekipit mjekësor, i cili i dha ndihmën e parë dhe e stabilizoi.
Në vendngjarje shkuan edhe karabinierët, të cilët kanë nisur hetimet për të rindërtuar dinamikën e plotë të ngjarjes.
Gjendja e shqiptarit u konsiderua fillimisht serioze dhe ai u transportua me kod të kuq në spitalin rajonal “Torrette”. Pavarësisht lartësisë nga e cila ra dhe dëmtimeve të pësuara, sipas raportimeve ai nuk ndodhet në rrezik për jetën.
48-vjeçari është i vetëdijshëm dhe ka pësuar frakturë të legenit, ndërsa po i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme mjekësore.
Shkaqet e rënies mbeten ende për t’u sqaruar. Karabinierët po hetojnë nëse bëhet fjalë për një aksident në banesë apo për rrethana të tjera. Sipas të dhënave të deritanishme, është përjashtuar mundësia që 48-vjeçari të jetë shtyrë nga një person tjetër.
Një nga pistat që po shqyrtohet është edhe ajo e somnambulizmit. Hetuesit pritet të marrin dëshmitë e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen dhe të rindërtojnë minutat para rënies.
Për sqarimin përfundimtar të asaj që ndodhi do të jetë i rëndësishëm edhe rrëfimi i vetë 48-vjeçarit, sapo gjendja e tij shëndetësore ta lejojë.
Be First to Comment