Po ashtu janë gjetur dhe sekuestruar arma e zjarrit automatik, motomjeti, veshjet, maska silikoni dhe një krehër me fishek.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, kanë finalizuar operacionin e koduar “Gold”, raporton noa.al.
Ata kanë bërë identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit Argys Kalsi, 35 vjeç, banues në Laç.
Autori i dyshuar është arrestuar në Qafë Thanë teksa po mundohej të largohej nga vendi. Në momentin që ka tentuar të kalojë kufirin, Kalsi ështe arrestuar nga policia.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, më datë 05.08.2026, kanë vjedhur një sasi bizhuterish në një argjendari dhe më pas janë larguar me një motomjet.
Në vijim të veprimeve të pandërprera hetimore dhe kërkimeve intensive në terren, më datë 06.08.2026, në një zonë të pyllëzuar të fshatit Zgafnur, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri automatike, një krehër me fishekë, një skafandër motoçiklete e lyer me ngjyrë gri, dy maska silikoni, një palë doreza, si dhe veshje të tjera që dyshohet se janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprës penale.
Gjithashtu, më datë 09.08.2026, në vendin e quajtur “Liqeni i Qinamit”, fshati Qinam, u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një motomjet i cili dyshohet se është përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprës penale.
Policia thotë se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit tjetër, si dhe për dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Vjedhja me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Be First to Comment