Vrasja e 20-vjeçarit portugez Luis Miguel Varela Mendes në Ksamil po nxjerr në sipërfaqe një tjetër aspekt të rëndë të ngjarjes: sjelljen e stafit të “Principotes” pasi i riu ishte goditur dhe ndodhej i plagosur.
Dosja hetimore tregon se, në minutat kur Mendes kishte nevojë për ndihmë urgjente, njerëzit e “Principotes” së Bekim Bulicës u mobilizuan për Sokrat Vatën, personin që sot akuzohet se e goditi për vdekje me thikë.
Kamerat e sigurisë tregojnë se në orën 05:18:04 Luis Mendes del nga deti dhe ecën drejt shezlongëve të plazhit “Paradise”. Bluza e tij e bardhë është e gjakosur. Ai ishte plagosur dhe gjendja e tij ishte e dukshme në pamje.
Por ajo që ndodh më pas është edhe më e rëndë.
Nga dëshmitë rezulton se ndihmën e parë 20-vjeçarit po përpiqeshin t’ia jepnin shokët e tij dhe turistët. Njëri prej miqve ka treguar se përdori bluzën për t’i mbuluar plagën, ndërsa edhe DJ-i i “Principotes”, Armando Zeneli, pohon se kur doli jashtë pa një grup turistësh duke ndihmuar një person të shtrirë në tokë.
Në të njëjtat minuta, brenda stafit të “Principotes” kishte nisur një tjetër mobilizim. Jo për Luis Mendes, por për Sokrat Vatën.
Këtë e thotë vetë Armando Zeneli në dëshminë e tij para hetuesve. Ai tregon se një grup kolegësh të panikosur shkuan tek ai dhe i kërkuan të përdorte makinën e tij.
Por porosia ishte e qartë: “Merre Sokratin dhe çoje në spital se ti ke makinë këtu afër.”
Pra, kishte një makinë. Kishte njerëz të gatshëm të organizoheshin. Kishte edhe vetëdijen se një person i plagosur duhej dërguar menjëherë në spital.
Por personi për të cilin u bë ky organizim ishte Sokrat Vata.
Ndërsa Luis Mendes ndodhej i plagosur, njerëzit e stafit kërkuan të shpëtonin Sokratin duke e dërguar për mjekim. DJ-i njoftoi edhe menaxherin për situatën dhe më pas vrapoi drejt parkimit për të marrë makinën.
Në rrugën drejt makinës, Zeneli kaloi pranë viktimës.
Ai e thotë vetë se pa një grup turistësh duke i dhënë ndihmë një personi të shtrirë në tokë. Megjithatë mori automjetin, u kthye dhe në pjesën e pasme të tij hipi Sokrat Vata. Më pas u nisën drejt Qendrës Shëndetësore të Ksamilit.
Ky është kontrasti më i rëndë që del nga dosja: viktima ishte përtokë dhe ndihmohej nga turistët, ndërsa për të akuzuarin ishte vënë në dispozicion makina e një punonjësi të lokalit për ta çuar në spital. Po ashtu, askush nuk lajmëroi policinë edhe pse pjesë e stafit të sigurisë kishte dhe efektivë. Policinë e lajmëori DJ, i cili shkoi në shtëpi, u qetësua dhe më pas bëri telefonatën. Pra shumë vonë.
Edhe roli i drejtuesve të “Principotes” kërkon të shihet pikërisht në këtë kontekst. DJ-i deklaron se përpara se të merrte makinën kishte njoftuar menaxherin. Pra, situata nuk ishte vetëm në dijeninë e disa punonjësve të rastësishëm; sipas vetë dëshmisë, menaxhimi ishte vënë në dijeni.
Në këtë histori duhet të zbardhet plotësisht edhe roli i pronarit Bekim Bulica: çfarë bëri atë mëngjes? Pse ja mbathi dhe nuk lajmëroi menjëherë policinë apo ambulancën për të shëptuar të riun? Çfarë roli pati ai në fshehjen apo manipulimin e ngjarjes? /Pamfleti
Be First to Comment