Skip to content

Përmes një reagimi rrëqethës të bërë ditën e sotme, që përkon me datën e lindje të vajzës së tij, mjeku Petrit Raka ka emocionuar me fjalët e tij. Teksa kujton momentin kur më 25 gusht të 2002 familja Raka u bekua me një engjëll, doktori shprehet se ishte një nga çastet kur jeta e tyre u mbush me dashuri, mirësi dhe bardhësi.

“Ishte 25 gusht 2002, kur ti, Engjëlli ynë, erdhe në këtë botë. Ne patëm fatin e madh të të kishim pjesë të familjes sonë të re.  Të quajtëm Rea. Që në çastin kur hape sytë e tu të mëdhenj e të zinj, në jetën tonë filloi të rrezatojë një ndjenjë e panjohur më parë. Ishte hera e parë që zemrat tona njohën dhe mësuan të përjetojnë dashurinë, një dashuri të pastër e cila rritej për çdo ditë.  Shpirti yt i bardhë na mësoi shumëçka: urtësinë, mençurinë, mirësinë dhe mbi të gjitha, dashurinë. Ishin këto virtyte që të karakterizonin dhe për të cilat shumëkush të kishte zili” shkruan Petrit Raka në reagimin e bërë ditën e sotme.

Më tej, duke kujtuar momentin e trishtë që i theu zemrën, largimin nga jeta të vajzës së tij, Petrit Raka në vend të një urimi për ditëlindje, zgjodhi ta falenderonte Rean për të gjitha momentet e përjetuara, ndërsa shton se pavarësisht se ajo nuk është më në mesin e tyre fizikisht, do të jetojë përgjithmonë në zemrat e tyre.

Ashtu siç kemi raportuar dhe para një muaj, vetaksidenti i ndodhur në orët e para të 21 korrikut i mori jetën në lule të rinisë 23-vjeçares Rea Raka, vajza e familjes së mjekëve të njohur në Kosovë.

Reagimi i plotë i Petrit Rakës:

Për Rean, engjëllin tonë!

Ishte 25 gusht 2002, kur ti, Engjëlli ynë, erdhe në këtë botë. Ne patëm fatin e madh të të kishim pjesë të familjes sonë të re.

Të quajtëm Rea.

Që në çastin kur hape sytë e tu të mëdhenj e të zinj, në jetën tonë filloi të rrezatojë një ndjenjë e panjohur më parë. Ishte hera e parë që zemrat tona njohën dhe mësuan të përjetojnë dashurinë, një dashuri të pastër e cila rritej për çdo ditë.

Shpirti yt i bardhë na mësoi shumëçka: urtësinë, mençurinë, mirësinë dhe mbi të gjitha, dashurinë. Ishin këto virtyte që të karakterizonin dhe për të cilat shumëkush të kishte zili.

E dimë se kjo botë, me gjithë egërsinë dhe padrejtësitë e saj, nuk është krijuar për engjëjt.

Sot duhej të ishte ditëlindja jote e 24-t. Duhej të të uronim edhe një vit tjetër jetë, të të përqafonim, të qeshnim me ty dhe të festonim bashkërisht.

Por sot, në vend të urimit, po të shkruajmë një falënderim.

Faleminderit, Rea, engjëll që patëm fatin të të quajmë vajza jonë.

Faleminderit Rea, që qëndrove këto vite pranë nesh.

Faleminderit Rea që na dhe privilegjin të të kishim pranë, të të donim dhe të shijonim çdo çast me ty.

Çdo kujtim me ty është një pjesë e jona. Çdo buzëqeshje, çdo fjalë, çdo çast i kaluar pranë teje do të mbetet përgjithmonë i gjallë në zemrat tona të thyera.

Nuk do të të themi lamtumirë, edhe pse nuk do të mund t’i lëmojmë flokët, të të puthim në ballë e faqe.

Ti nuk je larguar prej nesh. Je vetëm larg syve tanë.

Nga mendja dhe zemra jonë nuk do të largohesh kurrë.

Do të jetosh gjithmonë në kujtimet tona, në dashurinë tonë dhe në çdo rrahje të zemrave tona.

Të qoftë e mbarë rruga në shtegun tënd qiellor, Engjëlli ynë.

Gëzuar ditëlindjen në qiell, Rea.

Të duam. Sot, nesër dhe përgjithmonë.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *