Skip to content

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, më 26 gusht. Zjarri shpërtheu rreth orës 05:15 në zonën e Windergate Drive, pranë Old St. Augustine Road.Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, kati i parë i banesës dykatëshe ishte përfshirë nga flakët, ndërsa kati i dytë ishte mbushur me tym të dendur.

Dy të rritur dhe dy fëmijë arritën të dilnin nga banesa. Megjithatë, gjatë kontrollit të ndërtesës, zjarrfikësit gjetën tre fëmijë të tjerë pa shenja jete.

Katër persona të tjerë, dy fëmijë dhe dy të rritur, u dërguan në spital dhe ndodhen në gjendje kritike. Bilanci u konfirmua nga shefi i Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville, Percy Golden.

Një fqinj tregoi për mediat amerikane se banorët e zonës u përpoqën të ndihmonin në shpëtim. Sipas tij, nga një dritare e katit të dytë u nxorën një foshnjë dhe një i rritur.

Të afërmit që mbërritën në vendngjarje konfirmuan për mediat lokale se familja është me origjinë nga Shqipëria. Pranë banesës ishin edhe gjyshërit e fëmijëve, Alia dhe Artan Sulollari.

Pamjet nga vendngjarja kanë treguar dëmet e mëdha të shkaktuara nga zjarri, ndërsa në oborr kanë mbetur lodra të fëmijëve dhe një kosh basketbolli.

Flakët u vunë nën kontroll rreth orës 05:40, por banesa pësoi dëme të konsiderueshme, ndërsa zjarri preku edhe dy njësi të tjera pranë saj.

Kryqi i Kuq Amerikan është angazhuar për të ndihmuar personat që kanë mbetur pa strehë.

Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit. Deri tani, shkaku i saktë i tragjedisë nuk është bërë publik.

Departamenti i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit të Jacksonville ka shprehur ngushëllime për familjarët e tre fëmijëve dhe solidaritet me personat e plagosur.

Published inUncategorized

Be First to Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *