Duraj kishte deklaruar se këtë informacion e kishte marrë gjatë një komunikimi me nënën e Bleonës, Bukurie Matën. Por versioni i tij është mohuar nga avokati i familjes, Idajet Beqiri, i cili i cilësoi deklaratat si të papërgjegjshme.
Përballja u bë edhe më e drejtpërdrejtë pasditen e sotme, kur Bukurie Mata dhe Alban Duraj u përballën në emisionin “Ftesë në 5” me Bieta Sulon.
Nëna e Bleonës deklaroi se ishte e tronditur nga ato që kishte dëgjuar dhe mohoi kategorikisht se kishte komunikuar me Durajn.
Ajo kërkoi që avokati të mos fliste në emër të saj dhe paralajmëroi ndjekje ligjore nëse pretendimet do të vazhdonin.
“Nuk kam komunikuar me ty. Pranoje, pastro ndërgjegjen, nuk ke komunikuar me mua përmes Flori Gjinit, do të ndjek penalisht. Je i pandërgjegjshëm”, deklaroi Bukurie Mata.
Nga ana tjetër, Duraj këmbënguli se komunikimi kishte ndodhur dhe tha se e kishte të regjistruar atë bisedë. Ai sqaroi gjithashtu se nuk ishte prezantuar si avokati i familjes Mata, por kishte marrë pjesë në emision si ekspert.
Sipas versionit të Durajt, komunikimi me Bukurien kishte ndodhur gjatë dhe pas një emisioni në RTSH, ku ajo, sipas tij, e kishte falënderuar për kontributin e dhënë.
Por Bukurie Mata e mohoi sërish këtë version, duke deklaruar se nuk e njeh Durajn dhe nuk ka komunikuar me të.
Duraj tha se qëllimi i tij nuk kishte qenë protagonizmi apo përfitimi nga historia e Bleonës, por ofrimi i mbështetjes për familjen, përfshirë edhe përpjekjet për të siguruar ndihmë financiare.
Për momentin, pretendimet për gjetjen e Bleona Matës dhe rrethanat e saj të supozuara mbeten të pakonfirmuara, ndërsa familja dhe përfaqësuesi i saj ligjor i kanë mohuar deklaratat e Durajt.
Be First to Comment