Projekti pritet të sjellë rrëfimin e Tahirit për periudhën e tij në politikë dhe ngjarjet që shoqëruan largimin e tij nga skena publike. Krahas tij, parashikohet të ketë dëshmi nga persona të tjerë dhe materiale që lidhen me episodet e asaj kohe.
Vetë ish-ministri ka zgjedhur vetëm pak fjalë për të paralajmëruar atë që po përgatitet.
“Disa histori i kam jetuar. Disa të tjera i kam dëgjuar të tregohen për mua. Do shihemi së shpejti. Ka kaq shumë për të thënë”, është mesazhi i Tahirit.
Rikthimi i tij në vëmendjen publike vjen ndërsa çështja penale ndaj tij vijon në Gjykatën e Lartë. Në janar të këtij viti, Genti Shala u caktua relator i çështjes, pas dorëheqjes së gjyqtarit Sokol Binaj. SPAK ka kundërshtuar dënimin e Tahirit vetëm për shpërdorim detyre dhe kërkon dënimin e tij edhe për trafik narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal, ndërsa vetë Tahiri kërkon pafajësi.
Tahiri ishte dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg për shpërdorim detyre, ndërsa më pas u lirua para përfundimit të plotë të dënimit për shkak të rrethanave familjare.
Dalja e tij e re vjen gjithashtu në një periudhë me zhvillime të shumta politike dhe hetime që kanë përfshirë zyrtarë e ish-zyrtarë të mazhorancës. Megjithatë, nga paralajmërimi i publikuar nuk bëhet e qartë se cilat ngjarje apo persona do të jenë konkretisht pjesë e rrëfimit të tij.
Pikërisht kjo mbetet edhe pikëpyetja kryesore e projektit: çfarë ka vendosur të tregojë Saimir Tahiri pas viteve të tëra larg qendrës së debatit publik?
Be First to Comment